PDK-ja do t’ia kthejë krenarinë Gjakovës
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjakovë, i ka marrë shumë seriozisht zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë. Këtë degë e kanë vizituar të mërkurën, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i shoqëruar nga bashkëpartiakët e tij, Adem Grabovci, Elmi Reçica, Bajrush Xhemajli, Blerand Stavileci, Lirak Qelaj, Safete Hadergjonaj, Laura Zherka dhe Lah Nitaj.
Ky delegacion i udhëheqjes nga qendra është pritur nga kryetari i PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa me bashkëpunëtorë. Takimi është mbajtur në Hotel “Pashtriku”, ku zyrtarët e lartë të Kryesisë qendrore janë njoftuar nga kryetari i Degës së PDK-së, rreth zhvillimeve politike në komunë, shtrirjes së degës, themelimit të nëndegëve të reja, zgjedhjeve të forumeve rinore dhe forumit të gruas.
“PDK-ja është e interesuar për të gjitha moshat e qytetarëve, pa dallime fesh. Në Gjakovë është rritur interesimi i qytetarëve për t’iju bashkuar PDK-së”, ka thënë Beqa, duke marrë shembull vitet e kaluara, ku PDK-ja në këtë komunë numëronte mbi 2000 anëtarë, ndërsa në zgjedhjet e fundit ajo kishte rritur numrin e votuesve në rreth 5000 votues. Kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa, është shprehur i bindur para anëtarëve të Kryesisë qendrore të partisë se gjatë këtyre zgjedhjeve PDK-ja do të rritet me vota në komunën e Gjakovës. (marrë nga “Epoka e re”)