Pensionistët në radhë në pikë të vapes
Janë rikthyer temperaturat e larta të ajrit e bashkë me te sërish janë shtuar hallet. Por, hallet janë të llojllojshme. Dikush nuk e duron fare vapën dhe preokupim ka të gjejë ndonjë vend të freskët, të tjerët që e duan diellin kërkojnë ambiente ku ka rreze të nxehta e valë deti për të kaluar pushimet verore, sepse nga dita e sotme veç kemi hyrë në dy muajt më të nxehtë, kur edhe këto pushime tradicionalisht shfrytëzohen. Dikush përpëlitet me përditshmërinë e varfërinë. Pensionistët që sigurisht nuk e duan vapën dhe të nxehtin edhe sot kanë pritur në radhë para bankave për të nxjerrë pensionet. Radhët e gjata në këtë vapë shumëkend e shqetësojnë. Këto radhë para bankave janë që nga 24 qershori. Ata presin në pikë të diellit, ndërsa nuk i shkon kujt ndërmend të kujdeset për hallet e tyre, që fillimisht i ka rënduar pleqëira e pastaj edhe përditshmëria… Nëse nuk munden të përdorin kartelat atëherë do të ishte mirë që dikush të kujdeset për freskinë e tyre derisa me orë presin në vapë, sëpaku duke siguruar, përshembull ndonjë lloj tende mbrojtëse sa për ti mbrojtur nga dielli dhe për ti shmangur telashet shëndetësore që u sjell atyre vapa.
Në anën tjetër derisa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Kosovës ka dhënë idenë për ndarjen e pensioneve përmes postës, ka arritur reagimi i Partisë së Pensionistëve të Kosovës të cilët nuk pajtohen me këtë zgjidhje. Ata kundërshtojnë negociatat mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Postës së Kosovës që pagesën e pensioneve t’ia kalojnë prej Bankave Komerciale tek Posta e Kosovës. Këtë kundërshtim e arsyetojnë me faktin se në Kosovë nuk ka përfunduar ende jo vetëm emërtimi i rrugëve, por shumë rrugë kanë bile edhe nga 5 emërtime. Partia e pensionisteve përmes një komunikate shtron edhe një varg arsyetimesh për ta kundërshtuar ndarjen e pensioneve përmes Postës, siç ishte dikur. Pra në hallë janë edhe ata që presin në pikë të vapës edhe ata që mundohen të bëjnë zgjidhje për ta shmangur këtë telashe. Nuk ndjemi as ne mirë që i shohim këto radhë.