Tuesday, December 31, 2024
AktualeLajme

Për 6 muaj në Gjakovë 1.023 foshnja të posalindur

popullesiaSot është  Dita Botërore e Popullsisë. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara në çdo sekondë që kalon bota rritet me 2.6 njerëz çka do të thotë se në një ditë popullsia shtohet me 225 mijë  njerëz në ditë ose afro 83 milion në vit. OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë vitin e ardhshëm do të jetë mbi 7 miliardë, ndërsa deri më 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë.

Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë: Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë. Do të nevojitej edhe të paktën një tokë tjetër për të furnizuar njerëzit. OKB-ja vendosi 11 korrikun si ditën e popullsisë së botës për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm por ekziston vetëm një tokë për të gjithë.

Sipas përfaqësuesve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës , dallimi ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve është 20 mijë veta. Në komunën e Gjakovës mesatarisht lindin rreth 200 fëmijë brenda muajit. Sipas Teuta Vokshit, udhëheqëse e sektorit të regjistrimit civil në Kuvendin Komunal, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në komunën e Gjakovës kanë lind 1 mijë e 23  foshnja, ndërsa kanë vdek 261 persona..

Ndryshe statistikat demografike në nivel të Republikës tregojnë se nataliteti në Kosovë vazhdon të jetë dukshëm më i lartë se sa mortaliteti, ndërsa edhe jetëgjatësia shënon rritje të dukshme. Dallimi ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve është 20 mijë veta. Në Kosovë lindin mesatarisht 27 mijë e 600 foshnje, ndërsa vdesin mesatarisht 7 mijë e 200 persona në vit. Mosha mesatare e jetëgjatësisë tek ne është 76.7 vjeç. Femrat jetojnë më gjatë me moshë mesatare deri në 79.4 vjet,  ndërsa meshkujt mesatarisht jetojnë 74.1 vjet. Kosova aktualisht ka popullsinë me të re në Evropë. Vetëm 7 për qind e popullsisë janë mbi moshën 65 vjeçare.