Shkruan: Prof. SAMILE HARAÇIA
Era e fikut, që ndodhet në të mëngjër të portës së madhe dykapakëshe, të kënaqë. Përballë fikut: sheboja, karafila e zymbyla Shkodre; zambakë të verdhë e të bardhë dhe trëndafilat e kuq duken se krekosen me atë bukurinë dhe aromën aq të këndshme. Nën hijen e fikut janë ulur rëndë-rëndë, nëna e tetot e Myzaferit, motrat dhe halla e Cenit. Me respekt dëgjojnë gjyshe Eminenë, grua fisnike e bujare që flet për kohën e saj. Kohë pas kohe, të rejat shpotitin zonjat e hijes së fikut se, aq dinin, nuk i merrnin me mend dot ato përjetime apo siç u tha teto Beza:
-Poçese iu duken përralla, mbushuni! Aguridhe jeni. Ne i kemi përjetuar në lëkurën tonë, moj aman! Dhe të mos harroni se ata kurrë vëllezër nuk na bëhen !
-Jemi në fund të shekullit XX- ëë! –ia ktheu një aguridhe çapkëne.
Hallë Vahideja, një grua po aq e rëndë sa gjyshe Emineja, lëshoi një ofshamë përmbajtëse dhe dy pika loti sa dy kokrra misri formuan kalivaren faqeve të mbushura, tup-tup ranë mbi tavolinë:
-Për nga pasuria neve na shkundën fare. Por mua, moj, zonja të nderuara më vdiqën vëllezërit të rinj, për atë, të bekuarën shkollë. Im atë dhe Vehbi Agai i shpunë çunat në Shkodër e Tiranë se këtu kishin vetëm një mejtep Ruzhdijë. Atëherë, kushtet në konviktet ishin shumë të vështira. Djemtë pësuan plevit. Na futet mortja e zezë që… Deshi Perëndia i Lartë, na shpëtoi Ceni. Nëna e shpuri në fshat, në çiflig, t’i iki kontaktit me të sëmurët. Shpëtuan Ceni dhe Hakiu, MESUESIT e hallës. Cenit na i vie thirrja urgjent për ushtri… Hakiu lexonte ato librat e gazetat që ia sillnin nga Tirana e nga Shkodra. Thoshte: “-Është forcuar gjermani, të tjerëve u ka hyrë lepuri në bark”. Kur bram hapet porta e oborrit. Vijnë im kunat me të shoqen, pikë e vrer:
-Mirësevini Nuri Aga!
-Ku i ke djemtë Vahide?
-Ikën që në mëngjes ke dajallarët. Hakiu i ka ftuar që t’ua mësojë ato, GERMAT.
Vajzat po merren me punët e dorës. Po, ejani, urdhëroni brenda, uluni ju lutem! E shoqja hoqi jashmakun e çarçafin kashmir. Sytë i ishin mufatur nga të qarët. E mbajta veten. O, Perëndi, ç’kob tani!?
-Zonja Adile, -iu drejtua nënës sime – në lagjen tonë ka rënë terri, zia. Çarshia e Vogël u mbulua me ushtarakë gradash të ndryshme; xhandarë! –Unë nuk po merrja vesh.
-Janë përqendruar në lagjen tonë, mu te xhamia e Mahmud Pashës. Secili rri i patundur majë atit të shaluar dhe me kamxhik drejtuar rrugëve, bëjnë ndarjen e lagjeve mes vete. Më i madhi i tyre iu dha urdhër xhandarëve të lajmërojnë në secilën shtëpi se sot një muaj, njeri a pulë të gjallë nuk duan në qytet.
-Po ku të vemi ne të zeztë, mor aman!
-Prapa diellit, thyeni qafën! –kështu shprehen.
Gjithë ato vdekje kish përjetuar nëna ime po lot s’i kishim parë. Pikëllimin e mbaronte që pa gdhirë. Filloi ta vajtojë Cenin ushtar, tutje larg, në Frushka Gorë.
-Zonja Adile, unë të dija të fortë.
-Shyqyr që Hakiu di shkrim-këndim në të dyja gjuhët dhe s’kemi nevojë të paguani një dynja para kadiun.
-Hakiu mori letrën, kalemin dhe shkroi:
Në Gjakovë, më …..1938
Fort të dashurit Vëllait tim, Cenit
Vëlla i dashur, i lutemi Perëndisë që kjo letër të të gjejë shëndosh e mirë. Dhëntë Perëndia i Lartë që sa më parë të të bjerë në dorë. Ne në tërësi mirë jemi, ashtu siç na ke lënë. Cen, që të kënaqem vetë, dhe t’iu jap dritë fëmijëve të Hallë Vahidesë, kam filluar t’ua mësoj SHKRONJAT, me atë ABETAREN, që na e sollën nga qyteti… Sa më ka ënda të jesh sot këtu me ne, nën hijen e manit të madh.
Shkruajmë në tabela të vogla prehri dhe gjyshe Adileja e dashur me atë papërtueshmërinë e saj na rri gati. Sa herë që njëri nga fëmijët do ujë, ajo cink-cink kovën në pus. Më vie afër dhe më thotë ngadalë që të mos trazojë çunat:
-U bekoftë ajo Shkodër e ajo Tiranë që ty e Cenit iu hapi sytë, iu dha dritë! Dhe ti, mor bir, që zhvillon trutë e iu jep dritë djemve të Vahidesë, nëse mundesh, bëje edhe për vajzat, bardhoket e gjyshe Adilesë!…
Cen, këto që do të shkruaj tani, nuk i kam biseduar, as me memën, as me gjyshen. Sot, sheshet e qytetit: Fushat e Bajram Pashës, Gjyli i Çarshisë së Vogël, Çarshia e Madhe, janë mbushur e s’ke ku të vesh këmbën, me ushtarakë e xhandarë. Kanë lëshuar urdhrin: brenda një muaji, të lëshojmë shtëpitë e të shpërngulemi.
Vëlla i dashur, kush e di se prej nga do ta marrësh letrën tjetër: nga Bullgaria apo nga Greqia, për t’u vendosur pastaj në Turqi.
P.S
Të përqafoj me gëzimin e këtyre çunave për SHKRONJAT E ARTA SHQIPE
Mbeç me shumë shëndete!
HAKIU