Wednesday, April 24, 2024
AktualeGjakova Presss

PËR NJË GJAKOVË “NDRYSHE”

Shkruan: Akademik Esat STAVILECI

 

Akademik Esat Stavileci

Ekzistojnë shumë arsye që qytetarët e Gjakovës të kërkojnë dhe “të bëjnë” një Gjakovë “ndryshe”.Nuk po e quajmë as Gjakovë “të re”, as Gjakovë “tjetër”, sepse qytetarët e Gjakovës krenohen, edhe me “Gjakovën e vjetër”, po sikurse që nuk duan, në vend të Gjakovës që kanë, një “Gjakovë tjetër”.Duan, pra një Gjakovë “ndryshe”.

E para, një Gjakovë më të zhvilluar ekonomikisht.

E dyta, një Gjakovë më të avansuar administrativisht.

E treta, një Gjakovë më të pranuar politikisht.

E katërta, një Gjakovë më të përparuar arsimisht.

E pesta, një Gjakovë më të dashur shpirtërisht.

Për të arritur objektivat për një Gjakovë “ndryshe”, Gjakova duhet “të bashkojë” të gjithë fuqinë krijuese që ka dhe që sot ose injorohet ose nuk përfillet në masën që duhet të përfillet. Eshtë detyrë e “parisë së qytetit” që “të hapet” karshi një potenciali shumë të madh krijues që ka Gjakova, por është dhe detyrim i tyre që të “bëhen krah” i zhvillimit dhe “të trokasin” në dyer që nuk duhet “të mbahen të mbyllura”.Thuhet se dyert më të mira janë ato që “nuk mbajnë çelësa”. Gjakova ndien nevojën për dyer të tilla.

Për “të lëvizur prej vendit” Gjakovës i duhet një program  dhe plan i zhvillimit që përcakton edhe bartësit, edhe përgjegjësitë e tyre, edhe afatet, edhe mjetet që duhet të disponohen për të realizuar atë. Shkalla e zhvillimit të përgjithshëm të Gjakovës, përkatësisht niveli shumë i ulët i zhvillimit duhet të ndërgjegjësojnë “të madh e të vogël”, siç thuhet, për “të bërë” një Gjakovë “ndryshe”.

Një Gjakovë “ndryshe” kërkon, më së paku, një strukturë “ndryshe” të mendimit për të. Gjakova duhet “të kthejë” dinjitetin e humbur dhe këtë nuk do ta bëjë askush tjetër, përpara se ta bëjnë vetë gjakovarët. As gjakovarët “brenda Gjakovës” dhe as gjakovarët “jashtë Gjakovës” nuk mund të mburren më atë që kanë bërë, po sikurse që nuk mund të privohen nga përgjegjësia për gjendjen në të cilën është ndodhur sot Gjakova, pa marrë parasysh se shumë procese “nuk janë varur” drejtpërdrejt prej tyre. Për pasojë, Gjakova është nëpërkëmbur, edhe ekonomikisht, edhe administrativisht,  edhe politikisht, edhe arsimisht, edhe shpirtërisht.

Duke “mos harruar të kaluarën”, Gjakova duhet “t’i kthehet së ardhmes.

Së pari, duhet “të bashkohet” në ngritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik.

Së dyti, duhet “të përqendrohet” në avansimin e vet administrativisht.

Së treti, duhet “të organizohet më mirë” për të qenë më e pranuar politikisht.

Së katërti, duhet “të investojë më shumë”  për të përparuar arsimisht.

Së pesti, duhet “të ndiej më shumë ndryshimet”  për t’u qetësuar shpirtërisht.

 

 

Një shkrim, si ky, nuk mund të pretendojë “zbërthimin” e “të gjitha rrugëve” nëpër të cilat do të duhej “të ecte” Gjakova për “ta bërë” një Gjakovë “ndryshe”, sepse ato rrugë “duhet t’i gjejnë” ata të cilët do “të ecin nëpër to”, duke mbajtur parasysh këshillën se “Kush ecën vetëm, mund ta humbas rrugën; kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja”.

Gjakova nuk mund “ta ndërtojë të ardhmen” duke “shpresuar”, sepse shpresat, përveç se “të mbajnë gjallë”, nuk mund “të ushqejnë”. Prandaj, nuk thuhet kot se kush shpreson shumë, mund të vdes uni.

Gjakova nuk mund të ecë nëpër të ardhmen, nëse nuk e planifikon atë. Natyrisht se realizimi i planit do të varet nga mundësitë, por për gjakovarët shtrohet edhe një “detyrë shtesë”: si t’i rrisin mundësitë. Talenti, idetë dhe paraja janë tri pika të një trekëndshi që “duhet të vizatohet”  pashmangshëm . Ndonjëherë më shumë se talenti, idetë dhe paraja do të jetë zotësia për “t’i ndërtuar në një trekëndësh”.

Gjakova nuk mund të llogarisë në të ardhmen e vet, nëse nuk përcakton prioritetet e zhvillimit të vet. “Të merresh me të gjitha në të njëjtën kohë” do të thotë të “mos prekësh qëllimin” që pretendon të arrish.Gjakovës i duhet një angazhim që, nga më shumë objektiva që ka, “të nxjerrë në sipërfaqe” ata që “nuk mund të presin”, sado që të kemi menduar se në Gjakovë nuk ka pothuajse asgjë që mund “të përjashtohet” nga prioritetet.

Më në fund, Gjakova nuk mund “të gjejë e të ndërtojë” rrugë të reja, nëse nënçmon dhe injoron “rrugët e vjetra”. “Të vjelësh nga e kaluara” atë që i ndihmon së ardhmes është një leksion që duhet mësuar mirë.Sot njeriu nuk ka për asgjë më shumë nevojë, po sikurse për bukën dhe ujin, për mësimin. Gjakova ka edhe mësues të mirë, edhe nxënës të mirë. Por, një kohë e re një “botë të re” kërkon, pra edhe një “mësimdhënie bashkëkohore”, edhe një “nxënie praktike”.

Prishtinë, Tetor 2008