Brenda vitit 2015, Gjakova është shtuar për 2 mijë e 100 banorë të rinj. Sipas të dhënave të sektorit të Statusit Civil të Kuvendit Komunal të Gjakovës, gjatë vitit 2015 në komunën e Gjakovës kanë lindur 116 foshnja më shumë se në vitin 2014. Mirlinda Lajqi zyrtare në këtë sektor duke bërë publike të dhënat për të lindurit, kurorëzimet dhe numrin e personave të vdekur gjatë vitit që po e përcjellim, theksoi se me sistemin e ri të regjistrimit prindërit janë të obliguar që të bëjnë regjistrimin e foshnjës, ndërsa vonesat e regjistrimit tërheqin edhe ndëshkimet materiale.
Lajqi tha se numri i kurorëzimeve në komunën e Gjakovës për këtë vit kishte arritur në 360 që është një numër shumë më i vogël i kurorëzimeve krahasuar me një vit më parë. Më 2015 janë kurorëzuar 360 çifte bashkëshortore ndërkaq një vit më parë ishin kurorëzuar 982 çifte bashkëshortore.
Kur është fjala tek rastet e vdekjeve, në vitin 2015 në komunën e Gjakovës janë regjistruar gjithsej 352 raste që është për 10 raste më pak se në vitin 2014.