Sunday, December 29, 2024
Aktuale

Për Prishtinë kah Ratkoci!

Pas ndërprerjeve të reshjeve të shiut ka filluar të stabilizohet gjendja e rënduar dhe e shkaktuar nga vërshimet në disa zona të Gjakovës. Gjurmët e vërshimeve hetohen nëpër shtëpitë ku uji kishte depërtuar pasi kishte dalë nga shtrati, ndërsa dëmtimi i Urës së Kramovikut ka ndryshuar kahen e qarkullimit automobilistik  drejtë Klinës dhe Prishtinës. Përveç rrugëve më të gjata drejt kryeqendrës kah Malisheva, Peja e Prizreni, qarkullimi i automjeteve të vogla deri në Prishtinë po bëhet përmes rrugës së anadrinisë përkatësisht fshatrave të Rahovecit, rrugë kjo që të shpie menjëherë tek fillimi i Urës së dëmtuar të Kramovikut.

Reshjet e fundit në rajonin e Dukagjinit dhe fryrja e lumit Drini i Bardhë kanë dëmtuar nënstrukturën e urës në rrugën nacionale M9.1 në fshatin Rakovinë të Komunës së Gjakovës.  Zhvillimi i komunikacionit mbi këtë urë është bërë i pasigurt dhe duke pasur parasysh këtë gjendje, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Fehmi Mujota nxori një vendim, me të cilin ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve në rrugën nacionale M9.1 në segmentin e urës mbi lumin Drini i Bardhë në fshatin Rakovinë të Komunës së Gjakovës.

Gjatë ndalimit të qarkullimit mbi këtë urë, pjesëmarrësit në komunikacion mund t’i shfrytëzojnë rrugët alternative: rrugën rajonale R111 Xërxë-Ratkoc-Kramovik, ose rrugën rajonale R110 Xërxë-Rahovec-Malishevë.

Mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit do ta bëjë Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Rrugëve.

Ende nuk ka të dhëna për dëmet e shkaktuara nga moti i ligë në territorin e komunës së Gjakovës. Kryqi Kuq komunal po bënë përpjekje që familjeve që pësuan nga vërshimet t’ ju dalë ndihmë me veshmbathje dhe ushqime. Në këtë aktivitet humanitar pritet edhe mbështetja e Kryqit të Kuq të Kosovës.