Në fakt me organizim të Komunës së Gjakovës dhe të Shoqatës “27 Prilli 1999-Meje”, është shënuar pesëmbëdhjetëvjetori i masakrës më të madhe të luftës së fundit në Kosovë, ku janë vrarë dhe më pas zhdukur 377 persona. Në emër të Komunës së Gjakovës, familjarët i ka ngushëlluar kryetarja Mimoza Kusari Lila, ku në fillim të fjalës së saj ka pohuar se “kalendari i mbushur me data historike, ka të shënuar 27 prillin, ditën e dhembjes së madhe, ditën në të cilën nuk u kursyen fëmijët dhe të moshuarit. Jemi në përkujtimin e masakrës më të madhe në Kosovë, jemi në vendin e mbushur me varre të idealistëve, të atyre që shumë e ëndërruan lirinë, por pasi që arritën në pragun e saj, u rrëmbyen, u dëbuan dhe u masakruan, duke mos e ndjerë kështu për asnjë çast realitetin e ëndrrës së pritur me shekuj”.
Duke shprehur më tej bashkëdhembjen, ajo është shprehur se “nga këtu po u përcjell zërin e Komunës së Gjakovës, komunës së masakrave dhe varreve, komunës së trimave e të betejave, ndaj çdo institucioni dhe mekanizmi, ndaj çdo autoriteti dhe ndërmjetësimi, që sa më parë të përmbyllet ankthi i pritjes për trupat e pagjetur, se çdo nënë dhe familjarë dëshiron të dijë varrin ku do të shkojë me buqeta lulesh e me sy të përlotur”.
Të pranishmit dhe familjarët në emër të qeverisë së Kosovës i ka ngushëlluar Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, i cili ka dhënë premtimin se nuk do të ndalojnë së punuari për të gjetur edhe 1712 persona tjerë të cilët figurojnë si të zhdukur. Më pas, në emër të komuniteteve fetare kanë ngushëlluar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe padër Ndue Kajtazi nga Kisha e “Shën Ndout “të Gjakovës. Ngushëllime ka shprehur edhe Ramush Haradinaj, ish komandant i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit dhe kryetar i subjektit politik AAK, i cili ka thënë se “Meja është fakti më i fortë për dhimbjen e ndodhur”.
Arsim Gërxhaliu, nga departamenti i ekspertizës ligjore, Haki Kasumaj nga Këshilli i Familjarëve të Zhdukur të Kosovës dhe Haki Sadrija nga shoqata “27 Prilli 1999-Meje” janë dhënë zotime vazhdimisht do të punohet për të gjetur të zhdukurin e fundit.