Me këtë rast kryeparlamentari Jakup Krasniqi, edhe një herë ka bërë thirrje për më shumë angazhim ndërkombëtar, që çështja e të pagjeturve të zgjidhjet një herë e përgjithmonë.
“Shfrytëzoj rastin që nga ky vend, t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes së kombit serb që të bëj presion në udhëheqjen e tij, t’i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë gjithë ndikimin e saj ndaj krerëve të Beogradit, për t’i kthyer të gjithë të vrarët dhe të pagjeturit e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Në ceremoninë e inaugurimit ka folur edhe zëvendës ministri i ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Shpetim Rudi, ministria e cila ka investuar në ndërtimin e këtij kompleksi memorial. Ai ka thënë se ministria në fjalë është duke investuar në tërë Kosovën në ndërtimin e komplekseve të tilla, me të vetmin qëllim, nderimin dhe respektimin e dëshmorëve e martirëve.
Kryetarja e Shoqatës së Familjeve të të pagjeturve “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova, ka paralajmëruar se këto familje por edhe të gjitha familjet shqiptare në Kosovë, nuk do të pranojnë normalizim të raporteve ndërfqinjësore me Serbinë, nëse ky shtet të paktën nuk i gjen dhe nuk i kthen të gjithë qytetarët e Kosovës të rrëmbyer e të zhdukur gjatë viteve 98 – 99 .
Kompleksi Memorial i martirëve në kodër të Çabratit është financuar nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me një shumë prej rreth 150 mijë euro. Përpos rregullimit të ambientit dhe një objekti të vogël që do të shërbejë si muze, në këtë kompleks janë rregulluar edhe 150 varreza të martirëve, 20 prej të cilave ende të zbrazura, në pritje të 20 personave ende të pagjetur të Gjakovës.