Në qendër të kësaj drame sociale është figura e një plaku, të cilin duan ta heqin qafe e ta degdisin në një azil pleqërie bijtë e vet dhe një nuse e re, fati i së cilës bëhet edhe më i dhimbshëm se fati i këtij njeriu, dikur të lumtur, që po pi tani kupën e hidhur të helmit të pleqërisë.
Premiera e kësaj shfaqje në Gjakovë u shfaq në fund të muajit Mars dhe la përshtypje të thellë . Aktori i madh i skenës shqiptare Hadi Shehu u kthye me tërë shkëlqimin e tij në skenën e Teatrit të Gjakovës gjë që shpresohet se do të mirëpritet edhe në skenën e teatrit Kombëtarë në Tiranë për dy mbrëmje radhazi.
Në këtë shfaqje me skenografi të Petrit Bakallit, interpretojnë edhe Hysen Binaku, Xhevdet Doda, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Altina Kusari, Valon Pallaska, Muradije Muriqi dhe Yllka Lota. Për muzikën përkujdeset Pëllumb Vula.
Këmbimi I shfaqjeve teatrore po realizohet edhe në kuadër të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës e Shqipërisë.(gjakovapress.info)