Plane ambicioze të Teatrit të Gjakovës
Teatri i qytetit të Gjakovës për këtë vit ka planifikuar që të realizoj katër premiera, nga të cilat synohet që aktorët e këtij teatri të dalin në skenë para adhuruesve të artit skenik, 59 herë. Sipas një plani që ka bërë Këshilli i Teatrit, këto premiera do të reprizohen 40 herë në qytetin e Gjakovës, ndërsa në qendrat tjera të Kosovës synohet të jepen 12 shfaqje. Po ashtu është planifikuar që reprizimi i këtyre shfaqjeve të bëhet edhe jashtë vendit, por me këto projekte ky teatër sivjet do të prezantohet edhe në festivale me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Sipas një plani që është bërë nga Këshilli i Teatrit të qytetit, pas premierës së parë “Martyr”, e autorit gjerman Marius Von Mayenberg, që është në realizim e sipër, në këtë teatër si premierë e dytë do të të vjen një vepër e një autori kosovar. Bëhet fjalë për veprën e Milazim Krasniqit me titull “Arratisja e Sabri Popajt”. Në planin vjetor të këtij teatri është edhe një projekt për fëmijë, përkatësisht inskenimi i shfaqjes “Bukuroshja dhe bisha” e autores De- Villeneuve. Por, drejtues të Teatrit thonë se realizimi i këtyre synimeve do të varet nga mbështetja që do ti ofroj komuna, Ministria e Kulturës dhe donatorët.