Po ngritët Qendra e Biznesit në Çarshinë e Vjetër
Në kompleksin e Çarshisë së Vjetër të Gjakovë po vazhdojnë punimet në ndërtimin e Qendrës Inovative e njohur si inkubatori i bizneseve. Ndërtimi i Qendrës Inovative në Gjakovë ka për qëllim zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë dhe në veçanti përkrahjen e bizneseve fillestare. Kjo qendër – inkubator që po ndërtohet me mjetet e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë në bashkëpunim me Kuvendin komunal të Gjakovës, që i ka siguruar hapësirat, do të jetë një ambient pune, që do të ofrojë shërbime për bizneset fillestare dhe do të krijojë lehtësira për fillimin e bizneseve. Objekti po ndërtohet mbi themelet e ndërtesës së vjetër, ish Lidhja Socialiste, në dy etazhe dhe sipërfaqe prej 660 metra katrorë. Përdhesa do të ketë sallë takimesh, tri zyre dhe një restaurant –galeri, ndërsa në kat do të ketë pesë zyre dhe kafeteri-galeri.
Qendra Inovative e Gjakovës, së bashku me katër inkubatorët e tjerë nëpër Kosovë, synon të mbështes hapjen dhe zhvillimin e bizneseve të reja, duke iu ofruar mbështetje administrative dhe këshillëdhënëse, meqë pas shumë studimeve është parë se për zhvillimin e bizneseve qasja në financa është një nga sfidat kryesore.
Krahas ndërtimit është punuar edhe në përgatitjen profesionale të ndërmarrësve që do të punojnë në këtë qendër biznesi. Kohë më parë në Gjakovë janë prezantuar pese studentet – ndërmarrësit e rinj nga Gjakova, të cilët kanë qenë përfitues të trajnimit në Universitetin e Dartmouth në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata së bashku mbajtën një prezantim të përvojës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të prezantimit të plotë të idesë së bizneseve të tyre që do të vendosen në Qendrën Inovative të Biznesit. Pesë ndërmarrësit do të shërbejnë edhe si këshillues dhe inkurajues për ndërmarrësit e tjerë që të jenë pjesë e kësaj qendre.
Qendra Inovative në Gjakovë ishte shoqëruar me kontradikta në relacionin komuna- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në qasje të realizimit të projektit duke filluar nga leja e ndërtimi, por që me një bashkëpunim të dy palëve u arrit marrëveshja për vazhdimin e punimeve, që këtyre ditëve po kryhen nga një firmë ndërtimore nga Suhareka.(gjakovapress.info)