Qëllimi i vizitës së baroneshës Joyce Anelay në organizatën Medica Gjakova, organizatë kjo e cila mbështet gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, është zhvilluar në kuadër të takimeve me përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar përpjekjet që po i bën Kosova në adresimin e çështjeve të dhunës seksuale në konflikt, marrëdhëniet bilaterale si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
Duke vlerësuar punën e bërë në organizatën Medika Gjakova, baronesha Anelay para kthimit të saj në Angli ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është dhe do të mbetet mike e Kosovës.
Në një deklaratë bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:
‘Sot kemi ardhur këtu, së bashku me miken time dhe me një përkrahëse të jashtëzakonshme të të drejtave të grave, veçanërisht viktimave të dhunës dhe të torturës kudo nëpër botë, të dërguarën e veçantë të Kryeministrit të Britanisë së Madhe, zonjën Anelay.
Kjo qendër është dëshmia më e mirë për neve, për popullin tonë, për të parë që vuajtjet tona dhe pasojat e luftës në Kosovë ende janë të freskëta, ende janë të prekshme për qytetarët tanë, për popullin tonë. Duhet të falënderoj “Medica Gjakovën” për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, për të gjitha shërbimet që kanë dhënë për të gjitha viktimat e dhunës dhe të torturës në Kosovë gjatë luftës’.
Metutje Jahjaga tha se, ‘Prezenca e Baroneshës Anelay është dëshmia më e mirë se kjo sakrificë e viktimave të dhunës në Kosovë ka edhe përkrahjen ndërkombëtare, të cilën, duhet ta them që nuk e kemi pasur aq sa është dashur në këto vitet pas përfundimit të luftës. Tash e tutje do ta kemi një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare dhe kjo çështje dhe kjo sakrificë do të vazhdojë të ndërkombëtarizohet.’