Pritje të gjata para ofiqarisë
Sistemi i ri i gjendjes civile, i lansuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, i cili është funksionalizuar nga mesi i muajit shkurt, po vazhdon të krijojë radhë të gjata të qytetarëve para sporteleve të ofiqarisë në Gjakovë, në pritje për t’u pajisur me certifikata. Që në orët e mëngjesit, bashkëqytetarët presin para dyerve të komunës, për të zënë vend ndër 50 të parët që mundë të marrin certifikatën. Qytetaret nervozohen për pritje të gjata ndërsa zyrtaret thonë se kjo po shkaktohet për shkak se 10 deri në 15 minuta janë të nevojshme për të marrë informatat detale nga qytetarët.
Luan Vokshi, udhëheqës i sektorit të regjistrimit civil sqaron procedurën e marrjes së të dhënave dhe mënyrën e organizimit për ti ikur tollovive. Ai thotë se futja e informatave detale për secilin merr kohë, ndaj pritjet janë të justifikueshme.
“Për momentin do të ketë tash pritje dhe shqetësime, por ky sistem është modern dhe i mundëson qytetarëve që në të ardhmen , kudo që të jenë të kenë mundësi të nxjerrin certifikatën komplete me të gjitha të dhënat “ tha Vokshi duke sqaruar edhe disa risi në punën e shërbimit të ofiqarisë që kanë të bëjnë me regjistrimin e të porsalindurve, rasteve të vdekjes brenda 30 ditësh dhe të dokumenteve të kurorëzimit që zyrtarizojnë bashkëshortësinë.
Ky projekt i sistemit të ri të regjistrit qendror të gjendjes civile dhe çështja e lëshimit të certifikatave, është njëra ndër kërkesat e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, dhe është në interes të qytetarëve dhe të shtetit që të prodhohen dokumente të cilësisë dhe të sigurisë së lartë