Saturday, March 23, 2024
Gjakova Presss

Prof.dr. Qamil Haxhibeqiri për akademik Esat Stavilecin

( Botuar në numrin më të ri të reviste Gjakovapress Nr.140 online)

Në  këtë  akademi  përkujtimore me rastin e pesëvjetorit  të ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit   më ra hise të shkruaj  për  angazhimet dhe veprimtarinë e akademikut  tonë  në ASHAK.  Për mua,  si njeri  që nuk i takoj  profesionit  të  Akademik Esat  Stavilecit,  një detyrë  e  tillë nuk ishte  aspak  e  lehtë.   Vështirësia  nuk  qëndronte  në  ate se  nuk  dihet  dhe  nuk  ka  çka  të  thuhet  e të shkruhet  për  veprimtarinë e tillë të akademikut tonë,  por  vështirësia   qëndron  në  ate  se  nga  ajo veprimtari  e  begatë  dhe  e  frytshme  është  pothuajse  e  pamundur  t’i  thuash  të  gjitha.  Andaj, kërkoj ndjesë  nga  profesionistët  për ndonjë  pasaktësi   apo  lëshim, gjithësesi, të   paqëllimshëm.

                Në këtë shkrim  nuk do të flasë  për  librat

Nocione dhe parime të administrates  publike, aspekte metodologjike  dhe shqyrtime krahasimtare   (ASHAK,  botimi  i parë 2005;  botimi I dytë, 2007)

Shteti – shqyrtime  të përgjithshme  teorike  me vështrim rasti i  Kosovës   (ASHAK, 2008)

Fjalor  shpjegues  i  termave administrati ve     (ASHAK, 2010)

Të menduarit   dhe të  shkruarit  akademik  –  vështrime  të  përgjithshme nga fusha  e metodologjisë  së huluntimit  shkencor  , (ASHAK, 2013)

Nuk do të flasë  as për shumë  libra  dhe monografi  tjera  të  Akademik  Stavilecit  të botuara  tek  ne  e në botën  e  jashtme, nuk do të flas as për  kompletin prej  20  veprave  të  profesorit  të  botuar nga  IAL “Dardania” më   2013 të cilin ma dhuroi  profesori  i nderuar dhe  i cili zën  një  vend  të  rëndësishëm  në bibliotekën  time   personale.  Këtë  nuk  e bëra  duke menduar  se  për  veprimtarinë  e tillë  botuese  të akademik  Esat  Stavilecit  fjalën  e tyre  e kanë  thënë  dhe do ta  thënë  edhe  në  të  ardhmen  me kompetencë  të  plotë  njerëzit  e  profesionit  të akademikut  tonë.

                Në  këtë  shkrim  do të mundohem të  theksoj  disa nga kontributet e  Akademik  Esat  Stavilecit në tubime, konferenca, kolokuime dhe tubime të ndryshme shkencore  të  organizuar nga ASHAK-u  ose ku profesor  Esati  me kompetencë   profesionale  e  dinjitet  e  ka  prezantuar  ASHAK-un. Janë  këto  shënime të  nxjerra  nga  vepra  e Akademik Stavilecit  “Gjurmë  të një jete –  refleksione kohe” e  botuar   nga Shoqata e Intelektualëve   “Jakova”, Gjakovë, 1912 .  I pajisur me njohuri  të thella nga fusha e së drejtës, i pajisur me guximin intelektual  dhe  si një  parashikues  i pagabuar i të ardhmes sonë ,  Akademik  Esat  Stavileci  i ka parapa shumë  procese dhe dukuri   dhe faza të ndryshme  në   zhvillimet e  Kosovës  si   shtet  i pavarur . Janë këto  disa nga më shumë  se  1050  paraqitje   publike  të  Akademik Esat  Stavilecit  për Kosovën dhe  shqiptarët.

             I. Në  Sesionin  Shkencor   të  ASHAK-ut  “Mbi gjenocidin e pushtetit serb  ndaj  shqiptarëve  në Kosovë  gjatë viteve  të nëntëdhjeta ”  të mbajtur me 29  qershor 2000, Akademik Stavileci  tërheq  vëmendjen  në këta tri komponentë.  “ Komponenti i parë  mbështetej në  empirinë  politike e cila “tregon  se në  raste  më të  shumta  motivi më cytës i pushtetit gjenocidues është lakmia për toka dhe synimi  i ndërrimit të structures  demografike  të rajoneve me shumicë etnike tjetër nga qenja etnike e pushtetit ” Komponenti  tjetër i vëstrimit të  Akademik Stavilecit  “niset nga e vërteta  se asnjë  individ dhe asnjë  formacion  politik serb, me asnjë deklaratë dhe në  asnjë  mënyrë, nuk është  distancuar  nga veprimet e  pushtetit  serb  në  Kosovë  në vitet  e nëntëdhjeta.“ Më në fund, komponenti I tretë  përqëndrohet në  periudhën  më  të re  dhe pretendon të dëshmoj  në  mënyrë  të  pakontestueshme, pasojat  e zbatimit të akteve gjenociduese  të pushtetit serb  në  Kosovë, veçanërisht   që kur u  rrënua, në mënyrë  jokushtetuese  autonomia e saj.”   

           II.   Në Kolokuimin  mbi të ardhmen e Kosovës  të mbajtur  në  ASHAK  më  6. Shkurt  2004,  Akademik  E. Stavileci,  ndër  të tjera ,  konstaton:

 “Përkundër  shumë zhvillimeve që  kishin  ndryshuar një pjesë  të  realitetit në Kosovë, gjendja  ende nuk  ishte  ajo  që  kishim pritur  të ishte  pothuajse  pesë  vjet  prej vendosjes  së saj “nën  administrimin  ndërkombëtar”. Në  Kosovë  ende kishte  më  shumë  “sjellje  në  rreth” e pak  rezultate “për të dal prej atij rrethi”. Ende kishte më shumë “zotime  për  pavarësi” e  “ecje  shumë të ngadalshme  nëpër  te”. Ende kishte vonesë   dhe  shtyrje  të  proceseve  zhvillimore . Përgjithsisht në Kosovë  kishte  përpjekje për ta paraqitur  gjendjen “më të mirë”  sesa ishte ajo. Gjendja në Kosovë ishte ajo që ishte  dhe nuk kishte arsye  që të paraqitej ndryshe prej reales. Ajo fliste se tërësia  teritoriale e  Kosovës  ishte  cunguar,  se Mitrovica dhe pjesa veriore  e  Kosovës  mbahej  e ndarë;  se as UNMIK-u  dhe as institucionet e Kosovës nuk kontrollonin  pothuajse  një të tretën e teritorit;  se  Kosova  ishte  e “pushtetëzuar” nga  UNMIK-u; se në Kosovë  “zhvillohej  jetë paralele;”   Unë  pyes :  A ka ndryshuar diçka nga  ky  konstatim  i para afro  dy dekadave  të  profesorit  tone  të nderuar ?  Besoj, se të gjithë  pajtohemi me përgjigjen :  fatkeqësisht,  nuk ka ndryshuar ,pothuajse, asgjë. 

            III.  Në  Konferencën  Ndërkombëtare  të  Akademisë Europiane  të  Shkencave  dhe Arteve   me temën  “Vlerat  dhe Mileniumi XXI”  të mbajtur  prej 19-21 nëntor  2009, Akademikët  Esat Stavileci  dhe Pajazit Nushi  (në kumtesën e tyre të përbashkët)  në mënyrë  dinjitoze, me forcën e fakteve historike dhe logjikën e shëndoshë,  iu kundërvihen  botimeve  antishqiptare të  asaj kohe të  Akademisë  Serbe  të Skencave dhe Arteve   dhe  Akademisë  Maqedonase të Shkencave dhe Arteve e cila në një enciklopedi  të  botuar shtrembëronte historinë shqiptare. Me këtë rast akademikët  tanë  theksojnë  se  në shembullin  e Akademisë Serbe  dhe Akademisë Maqedonase  të Shkencave dhe Arteve është dëshmuar  fakti  mbi qenien e  shkencës “shërbëtor  i mirë  i politikës.” Më tej ata konstatojnë  se  “Shqiptarët, si  njëri  ndër  popujt  më  të  vjetër, asnjëherë nuk kanë pasur pretendime  që të  tjerëve t’ua  shkruajnë  historinë, por janë shumë të ndjeshëm  kur të tjerët  atyre ua shkruajnë  historinë  dhe kur këtë  përpiqen “ta shesin ” si “vlerë shkencore”   si ka bërë  Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve  dhe, së fundi, Akademia  Maqedonase  e Shkencave dhe Arteve”.

                “Ne e shohim  Mileniumin Njëzetëenjë  pikërisht si  shansë që  t’u kthehemi vlerave  që tërë  shekullit do  t’i  jepnin  epitetin  me të cilin karakterizohet  bota  bashkëkohore.  Është  e papranueshme , së paku, në  shkencën  e  vërtetë, që  mbi të kaluarën , të  tashmën dhe të ardhmen  e një populli me identitet  të verifikuar dhe të  vlerësuar  të  gjykojnë  popujt  të  cilët nuk mund  të  krenohen  për  veten dhe  identitetin  e tyre.”  Ata e përfundojnë  kumtesën me  konstatimin  “E vërteta  shkencore për shqiptarët  në historiografi  mund të  thuhet vetëm nëse mbështetet  në burimet autentike të  historiesë se shqiptarëve. Secili shikim tjetër  është  antishkencor  dhe  nuk  paraqet  vlerë të vërtetë shkencore. Këtë  do të duhej  ta kishin parasysh   akademitë e shkencave në veprimtarinë e vet botuese ”

                IV.  Fjalën  e mbajtur në  Konferencën  Shkencore  “Shqiptarët  në shekullin XX” , të organizuar nga Universiteti  i  Lirë  Ndërkombëtar   i  Brukselit  më 14 qershor 2012,  Akademik  Esat Stavileci  e ka emërtuar me  titullin domethënës  dhe kuptimplotë  “Të vdekurit  jetojnë përderisa ka të gjallë që i kujtojnë.”  E  fillon me thënien se “Të kujtosh do të thotë “të sjellësh në jetë” ata që janë flijuar për liri e vatan.”  Konstaton  se  “Shekulli XX nuk ishte tjetër veçse  shekulli  i  ndrydhjes së  qenjes kombëtare shqiptare.” Më tej, autori  konstaton se  “Fillesa  e tendencies dhe burimi  frymëzues  për   krimin gjenocidues  serb  ndaj  shqiptarëve  ndeshen që nga gjysma e pare e vitit 1880. Në vitet 1998 dhe 1999  vetëm se do të dale haptazi në shesh  krimi gjenocidues i pushtetit  serb ndaj shqiptarëve, për të vërtetuar, qoftë lashtësinë, qoftë edhe  vrazhdësin  e tij”.

                “Dëbimi  i rreth gjysmës së shqiptarëve etnikë të Kosovës nga trevat e tyre, kallja dhe asgjësimi  i shtëpive , i banesave, i lokaleve afariste, i vendbanimeve dhe fshatrave  të tëra  të shqiptarëve të Kosovës, rrënimi  dhe djegia e qyteteve të tyre, vrasja sistematike  e  shqiptarëve  të të  gjitha moshave e gjinive, duke zbatuar  të  njejtat forma dhe të njejtat  mjete të vrasjes  dhe të masakrimit më 1998-99 njësoj si  edhe me 1878-79, 1913, 1918, 1937, 1945, etj. tregojnë “praninë e qëndrueshme të  tendencies së  zhdukjes dhe të asgjësimit  të shqiptarëve  në Kosovë  e  më gjërë. Aktiviteti  i  krimit asgjësues  mbështetet   në dokumente zyrtare e shtetërore  dhe studime të mendimtarëve serbë, sikurse edhe në   disa vepra të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore  të Sërbisë “. Më pastaj, Akademik E.Stavileci  në fjalën e tij shpalos edhe  projektet  e vazhdueshme shtetërore gjenociduese serbe  sië janë  “Naçertanija” e vitit 1884, Elaborati i Vasa Çubrilloviqit i vitit 1939, Elaborati i Ivo Andriqit i vitit 1939, Elaborati i dytë  i  Vasa Çubrilloviqit i vitit 1944 dhe Memorandumin e Akademisë  së Shkencave e Arteve të Sërbisë të vitit  1986,  të cila flasin në mënyrën më të qartë   për  synimet e pushtetit  serb  për  spastrimin  etnik të popullates  shqiptare  dhe karakterin   gjenocidues  të atyre synimeve” .

                V.  Në  Konferencën  Shkencore  “Pavarësia  e Shqipërisë  dhe Kosova  100 vjet  pas”  të  organizuar  nga  ASHAK  më   13  shtator  2012, Akademik  Esat  Stavileci  paraqitet me  kumtesën  “Zhvillimi kushtetues i  Kosovës    1946 – 1990.”  Kumtesën e tij  e fillon me konstatimin se  pozitës kushtetuese  të Kosovës  dhe zhvillimit   të  saj  kushtetues  në  periudhën  1946-1990  të  shekullit të  kaluar i paraprinë  luftat  ballkanike, kur gjysma e kombit dhe më  shumë se gjysma e  trojeve  të  shumicës  etnike  shqiptare  “nuk  u  gjend  vetëm  jashtë  shtetit të ri  shqiptar, por  u gjend  e okupuar nga  shtetet  fqinje  ballkanike, kryesisht nga shteti  serb”.  Më  tej  profesor  Stavileci  konstaton se  përplasjet  ndërmjet  kombit  serb  dhe kombit shqiptar  në Ballkan  ndodhen në kushte të  pabarabarta për kombin shqiptar ,  prandaj  “për  pasojë  ndodhi  që  Kosova, më parë të përfshihet  në  kuadër të shtetit   serbo-kroato- slloven  të krijuar pas Luftës së Parë Botërore ”,  e më vonë  edhe  në  “përbërje  të Jugosllavisë” ,  pas  Luftës së Dytë Botërore. “

                Në  zhvillimin  e  mëtejmë  kushtetues të Kosovës,  Akademik  Stavileci  përmend  Rezolutën  e Konferencës  së  Bujanit  (31.12.1943 dhe 1 e 2 .01.1944)  me të cilën  u   konfirmua  parimi  i vetëvendosjes.   Por ,  pas  kësaj   ngjarje,  në  Kuvendin  e  Prizrenit  në vitin  1945, në  kushtet  dhe  nën  rrethanat  e administrimit  ushtarak,  delegatët  me dhunë  qenë detyruar  të shpallin  bashkimin  e Kosovës  me Serbinë   në kuadër  të Jugosllavisë   federative.  Delegatët që  paten  votuar  kundër  qenë  arrestuar  dhe likuiduar.  Zhvillimi i mëtejmë  kushtetues  në vitet 1945 -53  karakterizohet  me  diskriminimin  kushtetues  juridik  të Kosovës  jo  vetëm  në krahasim me njësitë tjera  federale (ish  republikat) por edhe në raport me pozitën kushtetuese  të  Krahinës Autonome  të Vojvodinës. Edhe ndryshimet kushtetuese të vitev 1953  dhe 1963  nuk  sjellin  ndonjë  ngritje  të pozitës kushtetuese të Kosovës, përkundrazi  e shndërrojnë atë  në  një  “koloni  të  Sërbisë”. 

                Në shtjellimin e mëtejmë  të kësaj teme Akademik Stavileci  përshkruan periudhë e pas Plenumit të  Brioneve të vitit  1966  ku  u zbuluan problemet  e  rënda  ndëretnike , e sidomos  deformimet e rënda  ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi. Si pasojë  e kësaj, ndryshimet kushtetuese të viteve 1967  e më vonë  edhe ato të vitit  1971  paralajmërojnë  përforcimin e  pozitës   kushtetuese- juridike  të  republikave dhe krahinave  në marëdhënjet  e  tyre  në Federatën Jugosllave. Pozita kushtetuese e Kosovës kulmon me Kushtetutën e vitit  1974 me të cilën Kosova shënon  shkallën më të lartë  të  mëvetësisë  së saj. Por me  amendamentet  kushtetuese  të  vitit 1989, në rrugë jokushtetuese  Kosovës     i merren  kompetencat  të cilat  i  ipen Republikës  së Sërbisë.

                Ndaj kësaj pozite  Kosova reagon në mënyrën e vet: “së pari Me Deklaratën Kushtetuese  të  2 Korrikut 1990; së dyti  me Kushtetutën e Kaçanikut  të   7  shtatorit 1990; së treti, me refendumin  e shtatorit 1991; së katërti, me Rezolutën  mbi Kosovën  shtet Sovran dhe i pavarur të dates 18 tetor 1991 dhe  së  fundmi, me Amendamentin  I  në  Kushtetutën  e Republikës  së Kosovës  me 19 tetor 1991”. “Këto akte, ndonëse  nuk  unjohën  ndërkombëtarisht, vendosën  themelet  e një  shteti  me  sovranitet  dhe   pavarësi  të  kufizuar   që  u lind me  17 shkurt 2008.”

                Këtë  fjalë  përkujtimore   do  t’a  përfundojë  me  tri  porositë  kuptimplota  të akademikut tonë  mendjendritur:

                “ Porosia e parë:  Nuk do të  dëshiroja  që  të  na shemben  themelet , pa i ngritur kulmet

                Porosia  e dytë:  Të bashkur  –  edhe të  pamundshmen  e  bëjmë  të  mundshme;  të ndarë –  edhe të  mundshmen  e bëjmë  të pamundshme.

                Porosia  e tretë: Të  veprosh  i  pabashkuar  është  e paefektshme,   po sikurse  edhe  të  bashkohesh  pa  vepruar. “

                Janë  këto  tri  porosi   të  akademikut  tonë  largpamës  që  janë   aktuale  sot më tepër se  çdo herë   tjetër  dhe  të  cilat  duhet   t’i  kemi  në  mendje   përgjithmonë .

               Lavdi e përjetshme  Akademik  Esat  Stavilecit  njeriut  vizionar që  tërë jetën dhe veprimtarinë e tij  ia kushtoi  përparimit  dhe  të mirës  së  Kosovës.

Në  Gjakovë,  më 12.  Gusht 2020.      

                                                      Qamil  Haxhibeqiri.

(Kumtesë  e paraparë të lexohet në  akademinë  përkujtimore me rastin e  pesëvjetorit  të  vdekjes  të  Akademik  Esat  Stavilecit,  e organizuar nga  Shoqata e Intelektualëve  “Jakova”,  e cila nuk u mbajtë  për shkak  të  situatës pandemike ).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *