“Fisi ishte bashkësi e lidhur me gjakun dhe shqiptarët i shkonin mbrapa kësaj vije. Bajram Curri, krasniqas i katundit të Currajt edhe ky, iu bë krah e iu betua Zekës se do të vazhdonin luftën deri në krijimin e Shqipërisë. Kësaj rruge ecën edhe plot trima të tjerë në krye me Sahit Mulën. E veçante te Sahiti ishte lufta për shkollën shqipe, se thonte “Vetëm drita e diturisë na çon drejt përparimit. Si edhe Abdyl Frashëri në Parlamentin Osman të 1876-ës, që kishte thënë se “Dora që përkund djepin, rrit kombin”, edhe Sahit Mula ishte luftëtar i shkollimit të femrës shqiptare. Bajram Curri e Haxhi Zeka e patën vendosur në krye të policisë së fshehtë e me një grup djemsh të zgjedhur kujdesej për sigurinë e udhëheqjes së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kur panë se Turqia po merrte teposhtëzën, udhëheqësit vendosën ta shpëtojnë Shqipërinë. Pengesë u doli Ali beg Gicia që u gradua pashë nga sulltani, po shpejt e hoqën qafe”.[1]
Përvoja historike e popujve ka dëftuar se, nëse një popull e harron të kaluarën dhe personalitetet që kanë marrë pjesë në të, ai e gjymton të tashmen dhe të ardhmen e vet. Gjakova në të kaluarën e saj, që nga shekulli XVII e tëhu, ka dhënë me dyzina personalitete të shquara që me jetën dhe punën e tyre u kanë dhënë kahje pozitive ngjarjeve, sidomos nëpër kthesa të rëndësishme historike. Një prej këtyre personazheve është edhe Hysni Hima.
Hysni Hima është i lindur në Gjakovë më 1896. Shkollën fillore dhe mejtepin Ruzhdije i kreu në Gjakovë, ku ndoqi dhe kursin e administratës publike. Hysniu atëbotë, kur e vranë Sahitin, ishte vetëm 6-vjeçar, por ngjarjen ia kishte shpjeguar me të gjitha hollësitë i ati, Halili.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe shqiptarët e tjerë, Hysniu mbante shpresa se do të respektohej e drejta e premtuar e vetëvendosjes së popullit shqiptar, siç kishin premtuar udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri e në Jugosllavi, të dy shtetet pjesëtare të Koalicionit të madh botëror kundër Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Bile me lutjen e Titos, Komanda e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, kishte dërguar dy divizione dhe dy brigada të Ushtrisë ANÇl të Shqipërisë në territorin e ish Mbretërisë së Jugosllavisë për të ndihmuar në luftën kundër armiqve të përbashkët, si pjesëtarë të Koalicionit Botëror Antihitlerian. Kjo shumë veta, si edhe Hysni Himën, i pat mbushur me gëzim, se kujtonim që me kaq do të përmbyllej armiqësia e vazhdueshme e jugosllavëve, si ardhacakë a kolonë në këto troje tonat, me ne rrënjësit apo autoktonët shqiptarë, zotër mijëravjeçarë e brez pas brezi të këtij trungu tokësor shqiptar në Ballkan. Por shqiptarët edhe kësaj here u gjetëm të mashtruar e të tradhtuar. Doli fjala e popullit se “Ujku i çartur, qimen e ndërron, po huqin dhe veset kurrë jo”. Ata prapë na prenë në besë.
Hysniu ishte dëshmuar nëpunës i përkushtuar i Bashkisë së Gakovës, që ndiqte me interesim ngjarjet e përditshmërisë së Kosovës e të Makedhonisë shqiptare me viset rreth tyre nën pushtimin sllavojugor. Ai reagoi me guxim qytetar e njerëzor, ndaj pushteti nuk e shikoi me sy të mirë. Shkaku qëndronte në faktin se ndërgjegjja atdhetare nuk e lejoi të qëndronte indiferent në situatat kritike nëpër të cilat po kalonte kombi shqiptar nën ish Jugosllavinë. ….(shkrimin e plotë mundë ta lexoni në numrin më të ri të revistes Gjakovapress Nr. 135)