Monday, March 25, 2024
Gjakova Presss

Prof. Migena ARLLATI për librin “BUKURI E GURËZUAR” -TIXHE REXHA GËRQARI

(Botuar në revisten Gjakovapress nr.140 online)

Poezia është një krijesë letrare e cila ngado shkon krijon një strehëz, e mbush atë plot frymëmarrje, rrahje flatrash e liri mendimesh. Ajo ofron ajër të oksigjenuar për të gjithë ata që i bëjnë vend në botën e tyre, duke krijuar kështu mundësi për përjetime të bukura e të arta.

Vëllimi “Bukuri e gurëzuar” i autores Tixhe Rexha Gërqari është shembull i qartë i pikërisht kësaj mënyre të funksionimit letrar brenda shpirtit të krijuesit, në këtë rast të autores. Një vëllim mbushur me krijime të cilat datojnë në vite e kohëra të ndryshme por pavarësisht kësaj, mbajnë të njëjtin emërues të përbashkët, dëshirën dhe shqetësimin poetik të poetes.

Tixhe Rexha Gërqari shkruan prej kohësh, që në vitet e rinisë së largët. Ajo e do poezinë e cila i vjen shpesh e shpesh dhe e mbërthen në shpirt duke e cytur të ecë në labirinte e hapësira në të cilat vetëm shpirti poetik din të endet. Ky libër i saji vjen pas hamendësimesh të gjata rreth daljes në dritë të krijimeve të cilat ajo i ka thurur me shpirtin e saj të çiltër, por gjithmonë ka ekzistuar një pengesë sado e vogël e cila ka bërë që deri tani gjithçka të lihet në dorëshkrim. Por jo më, pasi tashmë fruti i punës shumëvjeçare të poetes vjen në duart e lexuesve si një produkt që duhet shfletuar për t’u njohur me botën e saj të pasur, botën e saj të shkrirë në vargje.

“Bukuri e gurëzuar” vjen i ndërtuar në katër cikle: “Fjalët që ndjej”, “Atheut”, “Prindërve”, “Dedikime”. Secili prej tyre mban poezi të shumta, në të cilat ndodh që temat edhe të përsëriten por frymëzimi del i veçantë në secilën poezi, pas një akumulimi dhe shpërthimi të ri.

Cikli i parë hapet me poezi që e kanë bazën në nocione si: kulla, streha, pasqyra, plepat përballë dritares… që të gjitha këto elemente të një areali shumë personal, me të cilat poetja dialogon çdo ditë duke i trajtuar si personazhe të gjalla prej të cilave ajo merr dhe jep vazhdimisht në përditësinë e saj. Janë pikërisht këto elemente të cilat ajo i ka pjesë të përhershme të frymëmarrjes brenda guaskës në të cilën jeton e prej së cilës dëshiron të dalë në një flatërim me erën, me zogjtë, me yjet, me lumin… Të gjitha këto për të pasur një cak, lumturinë, të cilën ajo e donë sikurse çdo njeri që synon të jetë i lumtur me ato pak gjëra që kërkon nga jeta. Por poezia “Lumturisë” ndërtohet me antiteza që rrëfejnë për të mundurën e të pamundurën si pjesë e së tërës, si shoqëruese të pandashme të jetës, si rezultat i të cilave njeriu sfilitet dhe shpesh mbet me tërë qenien në pritje:

“…Lumturi, bebëzat për ty më janë ngrirë!

Të kërkova në qiell e në tokë,

si s’të pashë, lotët duke m’i fshirë?!”

Antiteza shfaqet po ashtu në krijimet pasuese si për të treguar se në këtë jetë ekziston e mira dhe e keqja dhe se pa njërën as tjetra nuk mund të kuptohet. Te “Koha dhe koka” mendimi i sintetizuar, vargu i shkurtër por plot peshë metaforike, ndërtojnë lidhjen shkak – pasojë për të cilën autorja vulos: “…jeta jonë me dy rrota!”

Në rrethanat e dekadave të vështira për popullin, autorja përpëlitet në llavën e shpirtit, rrihet me lisin e furtunës, trishtohet në kohën lavire, rëndohet nga loti i dhembjes… Të gjitha këto përjetime, dhembje të përjetuara që në vitet e rritës e më vonë të pjekurisë së moshës, i japin të drejtën të kërkojë për një ditë më të mirë. Jo për veten por për tërë rininë pjesë e së cilës është, për të gjithë popullin pa të cilin nuk e paramendon veten. Ndaj në ciklin e dytë kushtuar atdheut, ajo del e fortë dhe e qartë në secilin vargndërtim, pasi për të atdheu është temë përtej personales, mbipersonalen dhe më e lartë se të gjitha të tjerat. Përderisa shqiponja e vogël ende rënkon (“Shqiponja”), përderisa historia jonë është“Bjeshkë e pashkelurpor e nëpërkëmbur…”,koha është“…të kaluarës t’ia mbledhim kockat copë-copë

e të themi: Të këtij skeleti jemi!”.

Për autoren atdheu është dritare shpirti, për autoren trualli është bukuri e gurëzuar. Togfjalësha të tillë bartin me vete një peshë që vetëm poezia mund ta mbajë, pasi ata janë të ngarkuar me emocionin që i përket gjithë qenies. Pra, etnia, toka e të parëve, atdheu si rrënjë e pashkulur, përbëjnë për të një emocion të përhershëm, një detyrim të përjetshëm për të cilin autorja është në gjendje të thotë gjithmonë fjalën e saj:

“…Trualli im…

Tokë ta ban

vullkan i pashuar

lule e dërmuar

bukuri e gurëzuar!”.Nuk është e rastësishme që edhe titulli i vëllimit del pikërisht nga kjo poezi e ciklit të dytë, gjë e cila tregon për rëndësinë e patjetërsueshme që autorja i jep nocioneve: atdhe, truall, gjak. Tema dhe krijime të tilla tek ajo kanë lindur që në vitet ’80 kur si student përjetonte kohët e demonstratave, aksionin për faljen e gjaqeve, e plot procese të tjera deri në luftën e vitit ’99. Poezi si “Dy gishtërinjve”, “Pashë historinë”, “Shqip”, “Diamanti ynë”, janë ndërtuar pikërisht me këto frymëzime të bukura të ditëve të shpresës së madhe. Dashuria dhe shqetësimi për atdheun, për të vijojnë pashmangshëm edhe në shekullin XXI kur pritshmëritë e poetes, sikurse edhe gjeneratës së saj por edhe mbarë popullit kanë qenë tjetërfare.

“Ofshamë Kosove”, “E dehur”, “Bacë, a u kry?!”, “Zhgënjimi”, “Nuk blihet” etj. shprehin përditësimet aspak të mira të ditëve të lirisë, kur tashmë e keqja vjen prej vetë nesh. Shpesh e më shpesh pyetjet e autores mbesin pa përgjigje (“Ç’bën kështu vendi im?!”, “Kur do të vijë ajo ditë?”) e megjithatë ajo e gjen kurajon për ta thënë të vërtetën hapur, në përpjekje për t’iu kundërvënë hipokrizisë:

“…Në vallen mbrapsht

tepihu i fildishtë

njolloset nga maskat.

E koha njolla nuk lan!” (“Valljambrapsht”).

Ky kapitull ka poezitë e për të arrira të temave sociale dhe ndërpersonale të cilat I referohen aktualiteteve të përgjithësuara, për të cilat autorja thërret ndërgjegjet të reagojnë, duke e kthyer poezinë e saj në një mjet jothjesht shprehës por edhe kërkues, sensibilizues, akuzues, fshikullues.

Cikli i tretë, “Prindërve”, hapet me poezinë “Malli” e në fakt malli si motiv do të na shoqërojë edhe më tej në poezitë vijuese. Si një bijë e ndjeshme për prindërit, ajo mundohet të zgjedhë fjalët më të buta për të treguar ndjesitë më të brishta ndaj atyre që e sollën në jetë. Autorja na rrëfen për peshën e fjalës së babait, për vendin bosh të nënës, për kujtimet që e gërryejnë si pika çatinë, për ditëlindjet dhe përvjetorët e njëpasnjëshëm, e mes gjithë këtyre kulmon në vargjet:

“…Sonte më dehu aroma jote atërore,

herë hijerëndë e plot halle,

herë skifter kaluar fusha e male” (“Sonte”).

Për një bijë të denjë si ajo, nuk ka më të shenjtë se nëna, për një shqiptare të denjë si ajo, nuk ka më të shtrenjtë se atdheu, ndaj duke vënë në funksion paralelizmin autorja befason këndshëm me një sinqeritet të rrallë:

“…Fjala më e madhe në jetë – ATDHE

Fjala më e ëmbël në botë – NËNË

Urime datëlindjen Nëna ime,

ti që vuajte si Mëmëdheu!” (Nënë).

Në ciklin e katërt, poetja na sjell poezi dedikime, kushtuar figurave publike, kryesisht të artit e të kombit shqiptar, për të cilët ajo ka rezervuar vendin e kulminacionit figurativ. Personalitete të shquara si: Ibrahim Rugova, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, do të mbretërojnë gjithmonë në lavdinë mbarë shqiptare ndaj autorja nuk i kursen vargjet plot me ndjenjë.

Një vend të posaçëm në brendinë e saj emocionale ka rezervuar për poetët të cilët i njohu nga afër, për poetët vargjet e të cilëve përbëjnë kultin më të lartë të poezisë së sotme, sikurse janë Din Mehmeti e Halil Haxhosaj. Fakti se autorja ka biseduar sy më sy me ta, fakti se ajo ka pranuar prej tyre këshilla rreth vargbërjes, prej tyre ka marrë motivim të shkruajë dhe ta lëvrojë më tej poezinë, i jep asaj të drejtën që tashmë të dialogojë edhe poetikisht me ta:

“…Baclok,

e di se jemi të vegjël të shkruajmë për ty…
Më duket se të shoh si qesh e më thua:
“Agimet nuk kanë furtunë

kur në zemrat e të vegjëlve jetoj!”(“Baclokut”).

Vlerësohen momentet, rrëfimet, çastet e shkurtra të këshillimeve me peshë mes poetësh, sikurse në poezinë “Puhizë fjalësh”:

“Në pranverë ishe puhizë fjalësh blerimi,

Në verë nuk kishte det më të qetë se ti,

Në vjeshtë pemë e pjekur plot ëmbëlsi,

Në dimër s’kishte bardhësi më të pastër se ty…”

Po në këtë kapitull, autorja ia dedikon ndjenjat e saj edhe një sere emrash të lavdishëm të rënë në luftë, disa prej të cilëve të rënë pre e dhunës që në kohën e demonstratave e të tjerë shumë më vonë në betejat luftarake. Ajo bën pjesë të frymëzimit edhe gjakun e disa të rënëve të cilët kanë qenë pjesë e familjes, për të cilët pranvera ’99 ishte e fundit stinë.

I gjithë vëllimi“Bukuri e gurëzuar” i autores Tixhe Rexha Gërqari ka efektin e përfshirjes në botën autoriale. Poezitë të bëjnë për vete në mënyrë të tillë saqë duket sikur lexuesi bartet në krahë fluturash për të vizituar secilin ambient (kupto: secilën poezi) dhe për të ndjerë secilin përjetim. Jo rrallë ndodh që përjetimet të duken të afërta sikur t’i kemi përjetuar vetë pasi bota e ndjenjave të autores përshfaqet me sinqeritet, pa komplekse dhe drojë. Pjekuria autoriale në vargje shfaqet në nivel mëse të kënaqshëm, pavarësisht faktit se ky është vëllimi i parë që kjo poete boton. Vëllimi i parë, pas të cilit unë si redaktore e tij besoj në rritjen dhe forcimin e unit të saj si krijuese, dhe sigurisht në krijime të tjera që në një të ardhme t’i japin jetë daljes së vëllimit të dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *