Promovohen dy libra të rinj
Në Pallatin e Kulturës ”Asim Vokshi”në Gjakovë të shtunën u bë promovimi i dy librave: “Qamil F.Hoxha-Drini”(monografi) e autorit Shani Hoxha dhe “Lojëra popullore të Gjakovës” e autorit Muhamet Rogova.
Promovimin e organizoi Shoqata e intelektualëve “Jakova”. Edhe pse të natyrave krejtësisht të ndryshme, siç u tha me këtë rast, të dy këto libra i kanë vlerat e veta të posaçme sepse prezantojnë të kaluarën e pasur historike dhe qytetare të kësaj treve.
“Derisa në librin e parë prezantohet jeta dhe vepra e luftëtarit të paepur për lirinë kombëtare Qamil (Fevzi) Hoxhës, në librin e dytë, që për nga tematika është mjaft i rrallë, pasqyrohet një tematikë pak e eksploruar në krijimtarinë tonë. Vetë libri paraqet një eksplorim të traditës gjakovare dhe të etnografisë së kësaj treve, dhe, mu për këtë arsye i ka vlerat e veta të pakontestueshme” ka thënë me këtë rast Bardhyl Oseku, udhëheqës i sektorit komunal të kulturës.
Me këtë rast kanë folur Alban Dobruna, Sabahudin Cena dhe Halil Haxhosaj. Ata kanë potencuar se libri kushtuar jetës dhe veprës së Qamil Hoxhës, ndriçon figurën e luftëtarit të shquar, nami i të cilit nuk ishte vetëm në Gjakovë e në Drenicë ku ai ka vepruar, por edhe shumë më gjerë.
Ndërkaq, promovimi i librit “Lojërat popullore të Gjakovës” u shoqëruan edhe me demonstrimin konkret të disa prej lojërave popullore që përshkruhen në këtë libër. Referuesit, për këtë libër, pos tjerash potencuan se lojërat popullore që përshkruhen në këtë libër, në një mënyrë janë paraardhëse të teatrit të sotshëm bashkëkohor. Lojërat popullore të Gjakovës nuk kanë qenë veprimtari të improvizuara por të menduara dhe të përgatitura me kujdes dhe në këtë mënyrë u është kundërvënë edhe atyre që këtij populli nuk ia kanë dashur të mirën. Vlerat e këtyre lojërave janë të mëdha sepse paraqesin traditën e një popullate të tërë, u tha me këtë rast. Të pranishmëve në këtë promovim iu drejtuan dhe iu falënderuan autorët e këtyre dy librave Shani Hoxha dhe Muhamet Rogova.