Promovohet kompleti prej 20 librave të Ak. Esat Stavilecit
Laureati i Shpërblimit të Dhjetorit të Kosovës, për kontributin e tij në shkencë, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe autori i 35 librave, shumë artikujve, studimeve dhe monografive, akademik Esat Stavileci të premten në Prishtinë, në praninë e studentëve dhe profesorëve të kolegjit Dardania, miqve dhe mysafirëve të shumtë përuroi solemnisht veprën e përbërë nga 20 libra.
Manifestimi përurues u shoqërua me leximin e aforizmave të Esat Stavilecit të interpretuara nga aktori Beslim Mucaj dhe vlerësimeve të larta të veprës nga akademik Pajazit Nushi, pastaj akademik Luan Omari nga Shqipëria dhe redaktorit Prof.dr.Haki Demolli .
Folësit në këtë përurim theksuan kontributin e madh të akademik Esat Stavilecit në fushën e shkencave juridike dhe prezantimit të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht.
Vlerësuan arritjet në shumë fusha profesionale të botuara në librat e tij nga sistemet kushtetuese – juridike dhe politike , çështjeve dhe problemeve në administratën publike, pozitës së Kosovës dhe shqiptarëve përgjatë historisë, shqyrtimeve nga fusha e metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike veçanërisht, e deri te problemet e terminologjisë juridike. Edhe me këtë rast u tha se dominojnë librat mbi Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht, disa prej tyre edhe në gjuhën angleze, nga etnogjeneza e shqiptarëve, shtrirja etnike e tyre, copëtimi i trungut etnik e deri në aktualitet.
Kompleti që sot u promovua sistemohet në këto 20 libra:
I.Kosova në ish-Jugosllavi, shoqëruar me tekstin frëngjisht:” La decomposition de l’ex Yougoslavie et la question du Kosovë”.
II.Kosova ndërmjet kërcënimeve të brendshme dhe premtimeve të jashtme.
III.Çështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore,shoqëruar me librin anglisht: “The Albanian question at the crossroads of peaceful solution”.
IV. Hyrje në shkencat administrative.
V.Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit.
VI.Shqiptarët në proceset politike në Ballkan.
VII.Ditari i luftës.
VIII. Kosova nën administrimin ndërkombëtar.
IX.Çështja e Kosovës-çështje e vetëvendosjes, shoqëruar me librin në gjermanisht:”Kosova und die albaner zëischen verleungnung und unabhangigket”.
X.Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe shqiptarët.
XI.Pavarësia- i vetmi opsion për të ardhmen e Kosovës.
XII.Udhëkryqet e çështjes shqiptare- Shqipëria Etnike nuk është “Shqipëri e Madhe”.
XIII.Nocione dhe parime të administratës publike.
XIV.The truth about Kosova.
XV. Kosova në prag dhe pas statusit.
XVI. Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike,me vështrim rasti i Kosovës.
XVII.Pavarësia e Kosovës-fakt juridik që nuk mund të zhbëhet- Dëshmi për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
XVIII.Fjalor shpjegues i termave administrativë.
XIX.Të menduarit dhe të shkruarit juridik.
XX. Disa vrojtime të autorit me opinione të kolegëve për emrin dhe veprën e tij.