Monday, December 30, 2024
AktualeLajme

Publikohet lista nga Brigada 137 Gjakova e UÇK-së

UCK (1)Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorëve, invalidëve dhe luftëtarëve të UÇK-së e ka publikuar së fundmi edhe listën e Zones Operative të Dukagjinit pjesë e sëcilës ishte edhe  brigada 137 “Gjakova”.

Nga tetë brigadat e kësaj zone dhe Komanda kryesore si dhe shtabet lokale, në Dukagjin janë gjithsej 6.848 veteranë, që deri me tash del zona më me së shumti veteran.

Sipas kësaj liste preleminare, nga Brigada 137 kanë dalë 250 veteranë, 115 pjesëtarë dhe 13 pjesëmarrës. Nga kjo brigadë janë 21 dëshmorë dhe  23 invalidë lufte. Ndërkohë, nga numri i përgjithshëm i aplikuesve, komisioni ka refuzuar ta njohë statusin e 15 aplikantëve.  Megjithatë, ky numër është vetëm një pjesë e vogël e kontributdhënësve nga komuna e Gjakovës, pasi djem e vajza të kësaj komune janë pjesë edhe e listave tjera të brigadave tjera të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës, aty ku edhe e kanë dhënë kontributin e vet.

Në këtë drejtim, një numër i madh i dëshmorëve, invalidëve e veteranëve nga komuna e Gjakovës janë të radhitur në listat e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në luftën e Koshares, si dhe në Brigadat 131 “Jusuf Gervalla”, 132 “Myrtë Zeneli”, 134 “Bedri Shala”, 135 “Agim Zeneli” e të tjera. Ndryshe, listat e publikuara janë preleminare dhe sipas zyrtarëve të këtij komisioni, gjithkush i cili ka prova të reja apo mendon se i është bërë e padrejtë, mund t’i drejtohet Komisionit për rishqyrtimin e ankesës, në një afat prej 30 ditësh nga dita e publikimit.

Më gjërsisht klikoni këtu