Sunday, December 29, 2024
Gjakova PresssKulturëLajmet e shpejta

Ra perdja e Komedia fest-Edicioni pestë

ritaaa_gjeka_faqe_18-2
Rita Gjeka

Me komedinë e shkodranëve “Seks?!!!T’falemnders, sa me e provu”, është përmbyllur të dielën në mbrëmje edicioni i pestë i Festivalit Tradicional “Komedia Fest” në Gjakovë.

Në skenën e mbushur të  Teatrit të Gjakovës  monodrama e shkruar nga Dario, Franca e Jacopo Fo,  u interpretua nga aktorja e mirënjohur Rita Gjeka me regji nga Merita Smaja dhe  mori shumë të qeshura, duatrokitje e  vlerësime nga publiku gjakovar.

Vepra teatrore me  aktoren Gjeka u shfaq në ditët e fundit të festivalit pas 60 prezantimeve të vlerësuara që ka pasur më herët dhe në skena të tjera të teatrit, si në Shkodër, Tiranë, etj. Franca Rame është një personazh i njohur i dramaturgjisë italiane, jo vetëm për faktin e martesës me nobelistin Dario Fo. Ajo ka shkruar pjesë dramatike dhe ka interpretuar si aktore duke qenë një nga yjet e teatrit italian në vitet ’70. Kjo vepër është një himn për lëvizjen femërore, mbi raportin që femrat duhet të kenë me besimin dhe trupin e tyre. Por ajo çfarë e bën interesante këtë pjesë është dhe fakti që ajo e ka shkruar me të birin, shkrimtarin Jacopo Fo dhe bashkëshortin. Dario Fo kur mori çmimin “Nobel” ia dedikoi bashkëshortes së tij, Franca.

Njeriu në jetë kurrë nuk flet për marrëdhënien e tij intime, e kjo bëri që autorët të sjellin nëpërmjet kësaj monodrame këtë fakt, pra si të jemi të sinqertë me veten, si të kuptojmë çfarë na bën të lumtur, si të dimë ta arrijmë lumturinë. Monodrama fillon me marrëdhënien e parë seksuale në univers që është ajo midis Adamit dhe Evës, një marrëdhënie që erdhi si rezultat i një ndjenje, por ata të dy, nuk e njihnin njëri-tjetrin, nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin, nuk njihnin as veten, pra trupin e tyre, e kjo marrëdhënie vjen nëpërmjet gojës së Evës, gruas së parë në univers, me një gjuhë të thjeshtë. Më pas monodrama vjen nëpërmjet gojës së një femre, e cila shpjegon çdo fazë të jetës, pra duke filluar me lindjen, njohjen me seksin mashkull, njohjen me perversin e rradhës, njohjen me dashurinë, efektet e saj, pra shtatzëninë, abortin, orgazmën, ftohtësinë femërore e mashkullore , e mbërrin deri tek përdhunimi, fenomen tragjik dhe shumë i rëndë në shoqëri, por present.

Monodrama nga Shkodra me tematikën dhe interpretimin nga aktorja e shquar Rita Gjeka, erdhi si risi e këndshme për publikun e Gjakovës.

Përfundimi i Komedia Festit në Gjakovë, është kremtuar  deri vonë në Del Hause ku ka përformuar rok këngëtari i njohur, Valon Shehu, ndërkohë që mbrëmjeve të shkuara ishin prezantuar edhe grupe e solist të ndryshëm.