E para e komunës e vlerësoi si të frytshëm bashkëpunimin me Bashkësinë Islame në Gjakovë dhe u shpreh e kënaqur që mu në ditën e vizitës së myftiut Tërnava, në Komunën e Gjakovës fillojnë edhe punimet për restaurimin e Medresesë së Vogël dhe Bibliotekës në Xhaminë e “Hadumit”, objekte këto të dëmtuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Sot e në vazhdim komuna e Gjakovës po ndjenë frytet e takimeve tona të vazhdueshme për të kontribuar në restaurimin e objekteve fetare të trashëgimisë kulturore në komunën e Gjakovës, si në ndërtimin e bibliotekës, të Medresesë së Vogël, e radhazi njëra pas tjetrës të Xhamive që gjenden ne Gjakovë. Me respekt të veçantë ju falënderoi për faktin që realizimin e projekteve po e filloni në komunën e Gjakovës. Në Gjakovë ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore që i përkasin periudhës osmane, e që kanë nevojë për kujdes meritor e profesional”, u shpreh kryetarja Kusari Lila.
Për rëndësinë e realizimit të projekteve në fjalë ka folur edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Skender Boshtraj, i cili ka vlerësuar lartë mbështetjen për renovimin e objekteve historike kulturore e fetare në Kosovë nga shteti Turk.