Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

“Revolveri” shfaqet në Teatrin e Gjakovës

Revolveri teatri 2Njerëzit bëjnë çdo të zezë për të ardhur në pushtet, e kur vijnë bëjnë çdo të zezë për ta mbajtur atë. Kjo shkurtimisht ishte fabula e Komedisë “Revolveri”, premiera e së cilës u dha të entjen në mbrëmje në Teatrin Profesionist të Gjakovës.

Vepra e autorit hungarez Goergey Gabor, e vënë në skenë nga regjisorja Burbuqe Berisha, ndonëse është shkruar shumë vjet më parë, ka paraqitur një realitet të hidhur, shumë prezent edhe në ditët e sotme në vendin tonë.  E tërë ngjarja në shfaqje sillet rreth një revolveri, i cili është mjeti që mundëson pushtetit e 5 personazheve të ngujuar në një bodrum. Një gjeneral në pension (Hysen Binaku), një profesoreshë dhe intelektuale (Myrvete Kurtishi), një kriminel (Edomd Hafizademi), një fshatar (Valon Pallaska) dhe një servil që u serviloset të gjithëve (Arben Lleshi), një nga një vijnë në pronësi të revolverit, për të shfaqur anën e tyre të errët të mbajtjes së pushtetit dhe dëshirën për hakmarrje ndaj kundërshtarit.

“Shfaqja flet për pushtetin që gjithmonë është i dhunshëm kur udhëheqin ata që nuk dinë e nuk duan ta manegjojnë. Ndërsa në këto raste, qytetarët po mbesin t’u servilosen dhe t’u buzqeshin secilit pushtet që po vjen. Pushteti duhet të bjerë në duar të atyre që dijnë dhe duan të menagjojnë mirë dhe kjo buzqeshje e qytetarit të mos jetë servilosje por buzqeshje reale. Ky thjeshtë edhe është mesazhi i kësaj shfaqje që mendoj se është kuptuar drejtë nga të pranishmit”, ka thënë regjisorja e shfaqjes Burbuqe Berisha.

Aktori veteran  Hysen Binaku, që ka bartur njërin prej roleve kryesore të shfaqjes ka thënë se i vjen mirë që teatri po u kthehet gjakovarëve pas më shumë se një viti pauzë.

“Publiku gjakovar sonte e ka përfituar një shfaqje që i ka munguar që një kohë të gjatë. Shpresoj që ajo është përlqyer nga të pranishmit dhe shpresoj gjithashtu se do të ketë shumë repriza kjo shfaqje e shumë premiera tjera pas saj, sepse ky publik është shumë kërkues dhe meriton shfaqje të tilla”, ka shtuar ai.

E pasi ka qenë hera e parë që është prezentuar para publikut gjakovar, regjisorja Berisha ka thënë të jetë ngazëllyer me profesionalizmin e trupës artistike të Teatrit Profesionist të këtij qyteti si dhe me pritjen e mirë të publikut gjakovar.

“Jam e ngazëllyer me dashurinë që ky qytet ka për teatrin, prandaj shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë ata që e kanë në dorë fatin e Teatrit që të përkujdesen dhe të investojnë  më shumë. Ju lutem investoni, sepse ky vend me të vërtetë është djep i kulturës që e ka një dashuri dhe një hapësirë që nuk e ka asnjë qytet tjetër. Është gjynah që kjo dashuri dhe kjo hapësirë të mbetet e pa shfrytëzuar”, ka thënë Berisha në apelin e saj.

Ndryshe, komedia “Revolveri” është shfaqja e parë pas një pauze një vjeqare e Teatrit Profesionist të Gjakovës, ndërsa sipas drejtorit të këtij institucioni, tashmë kanë filluar edhe përgatitjet për premierën e dytë, Komedia “Burri i gruas time” me regji të Fatmir Hysenit.