Tuesday, December 31, 2024
IntervistaSporti

Rrugëtimi triumfues i Besnik Hasit nga Gjakova deri në Belgjikë

 INTERVISTA; BESNIK HASI, NDIHMËS TRAJNER I ANDERLEHTIT NË BELGJIKË

 GjakovePRESS në vite…Besnik hasi. 1jpgFutbollisti i shquar Besnik Hasi lirisht mund të quhet ambasador i futbollit shqiptarë. Talentin e tij për futbollin  e shpërfaqi si shumë fëmijë tjerë gjakovarë nëpër rrugët e lagjeve, terrenet e improvizuara për të arritur tek skuadrat me renome botërore dhe për ta përmbyllur lojën aktive tash në cilësinë e trajnerit të futbollit. Besnik Hasi  ka një rrugë të gjatë të karrierës së suksesshme nëpër shumë klube evropiane ku me lojën e tij efikase, angazhimin, guximin dhe  dëshirën për fitore ka arritur të shndërrohet në idhull të futbolldashësve jo vetëm shqiptarë. Hasi ka arritur ti takojë brezit të art të futbollistëve të Kombëtares së Shqipërisë që shënoj sukses të mira në arenën ndërkombëtare.

Kur keni bërë hapin e parë të karrierës si futbollist  a ju ka shkuar mendja se do të arrini tek një klub kaq I madh siç është Anderlehti i Belgjikës?

Kur kam filluar me futboll sigurisht që ëndërron që një ditë do të luash në një ekip të kategorisë së parë, por ta them të vërtetën nuk e kam ëndërruar që do të shkoj kaq lartë.

Si ia filluat?

Thjesht ne rrugët e Gjakovës deri sa shoku im i mëhallës A. Lleshi më morri me vete në stadium dhe fillova në klubin e futbollit  “METALIKU”. 

Kush ju tha së pari se keni talent?

Trajneri im në kategoritë e reja të VLLAZNIMIT, i ndjeri Hasan Shasivari i cili edhe më vonë me propozoi për ekipin e parë .

A ju kujtohet takimi i parë zyrtarë që keni zhvilluar në kategorinë e juniorëve?

Me duket se ka qenë në Gjakovë kundër Vushtrrisë.

Cilin nga futbollistët në atë kohë dëshironit ta arrini ose ti përngjani?

Kisha shumë idhuj por idhulli me i madh për mua ka qenë babai im Ymer Hasi,  i cili punoj tërë jetën e vet vetëm që të na jepte një fëmijëri sa me të mirë (pesë fëmijëve)

Rruga juaj e karrierës është e gjatë. E nisët në Gjakovë duke e shëtitur Evropën dhe duke përjetuar lojëra në klubet e famshme. A mund të kalojmë gradualisht nëpër këtë rrugën tënde të karrierës?

Vitin 90 arrita ne DINAMO të Zagrebit, me një intermexo te shkurtër ne PRISHTINË dhe SAMOBOR (Kroaci) vazhdova në 94’ GENK (Belgjik), njëherë në kategorinë e dytë e pastaj në atë të parën,  ku ngela deri në vitin 97’. U transferova në MUNCHEN 1860 (Gjermani),  ku nuk pata sukses të madh dhe pas një sezoni u ktheva ne GENK 98’. Në vitin 98’ u bëmë menjëherë kampion të Belgjikës, për herë të parë në historinë e klubit. Në atë sezon u zgjodha edhe futbollisti me i mirë i vitit në GENK. Në sezonin 98’-99’ ngela në GENK edhe pse e kisha ofertën e nënshkruar nga SAN SEBASTIAN të SPANJES (klubi i Genkut edhe qytetaret e Genkut më kishin ndihmuar gjatë luftës në Kosovë, kështu që nuk e lija dot klubin në atë moment). Në sezonin 99’-00’ fitova Kupën e Belgjikës ku në finale e mposhtem STANDARDIN e LIEGES me 4:1, para 50.000 shikuesve ku shënova edhe njërin nga golat. Kjo ishte njëherit edhe ndeshja ime e fundit për GENKUN,  sepse po atë verë u transferova ne RSCA ANDERLECHT.

Në ANDERLECHT, ku luajta prej vitit 2000 deri më 2006 arrita sukseset më të mëdha në karrierën time. Gjithsejtë dy herë kampion 2000- 2001 dhe2003’-2004’ ,dy herë superkupen e Belgjikës 2001’-2002’ dhe 2004’- 2005’ dhe 28 ndeshje ne Champions Legue si dhe 12 në Kupën e UEFA-s. Në Champion Legue ishin emocionet e paharrueshme,  sidomos kur luanim kundër ekipeve të mëdha si REAL MADRID, MANCHESTER UNITED, ROMA, LIVERPUL, CHELSI, LAZIO  etj. Në vitin 2006’ shkova në LOKEREN (Belgjikë) dhe pastaj CERCLE BRUGGE ku edhe përfundova karrierën si futbollist profesionist.

Me siguri se keni bërë edhe bilancin e golave që keni shënuar. Sa arrin numri dhe cilin e konsideroni golin më të mirë të karrierës?

Me duket se kam shënuar diku nja 30 gola. Më të bukurin do ta kisha veçuar atë të finales së Kupës se Belgjikës kundër STANDARDIT të L.në 1999’-2000’. Ishte një gjuajtje standarde, njëherit edhe ndeshja e fundit si futbollist i Genkut.

Momente të veçanta ke sjellë edhe me paraqitjet tua në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Si erdhi ftesa. Na kujto ato momente dhe si ndjeheshe ti?

Ftesa e parë më ka ardhur nga trajneri i atëhershëm Mehdi Zhega ne ndikim te Igli Tares, sepse me atë isha ne kontakt dhe gjithnjë me thoshte se pse nuk vjen te luash me kombëtaren shqiptare dhe te kemi një ekip sa me te fort,them se ai ishte personi qe me shtyu qe te luaja për Shqipërinë. Unë isha shumë krenar që më në fund po luaja për vendin tim dhe që përfaqësoja diçka që ishte shumë e rëndësishme për mua dhe nuk e kisha akoma ne karrierën time.

Loja parë me kombëtaren,  çfarë domethënie kishte për ty?

Ishte momenti me  shumë emocione, sepse tani përfaqësoja popullin tim. Për mua ishte si ta përfundoja ‘’rrethin’’ që dmth i arrita të gjitha.

Gjatë 50 paraqitjeve tuaja me kombëtaren e Shqipërisë juve iu vlerësuan si shtylla e skuadrës. Ju si I vlerësoni bashkëlojtarët , shtabet teknike dhe tifozerinë e kombëtares?

Tifozeria e kombëtares në fillim ishte ta them normale mirëpo kur filluan të vinin edhe nga Kosova dhe u bashkuan,  ishin te paparë dhe te jepnin një ‘’injeksion’’ dhe një krenari qe nuk mund ta fitosh askund. Sa i përket bashkëlojtarëve, shumica prej tyre janë tani me shok për jetë si:  Igli Tare, Lorik Cana, Ervin Skela etj. Kemi kaluar çaste shumë të mira. Shtabi teknik mund te them se çdo njeri nga trajnerët kishte vetit e veta dhe dhanë maksimumin,  mirëpo njeri ishte me miri i cili diti te na mbledh se bashku dhe na beri që të bëhemi si një ekip i vërtet ishte Hans Peter Brigel.

Cila nga ndeshjet me kombëtaren shqiptare të ka lënë më së shumti përshtypje dhe pse?

Të gjitha e kishin rendësin e vet,  mirëpo me e madhja dhe më e rëndësishmja ishte kundër Greqisë,sepse ishin disa fakte që ishin mbledhur se bashku: Greqia sapo ishte shpallur kampion i Evropës , pastaj  marrëdhëniet me greket ishin të elektrizuara, plus populli shqiptar tregoj me atë ndeshje se është në gjendje të bëjë një festë të papame. Ato momente nuk do ti harroj kurrë.

U bët dy gjakovarë, bashkë me Lorikun në kombëtare. Si ndjeheshit?

Unë pata fatin qe ta shihja zhvillimin e LORIKUT që nga fillimi kur erdh me kombëtaren e deri sa kur u be një shtyllë dhe yll i futbollit. Unë me Taren e kemi përkrahur  gjithë kohën,  që nga fillimi,  sepse shihnim që ai djalë kishte personalitet për të na zëvendësuar.

Loriku ka deklaruar se kohën më të këndshme gjatë grumbullimit me kombëtaren  e ka kaluar bashkë me ty, bile duke treguar edhe barcoleta gjakovare. Çfarë raporte keni pas dhe keni me Lorikun?

Raporte shumë te mira, ai ishte shumë më i ri se unë,  por prapë se prapë rrinim tërë kohën bashkë,  duke treguar barsoleta gjakovare që të tjerët as nuk i kuptonin.

Kë nga lojtarët e kombëtares nga periudha kur edhe ti ke luajtur por edhe tash I çmon më së shumti për kontributin që japin në lojë?

Igli Tare, Ervin Skela dhe Lorik Cana 

Mbesim prapë në Shqipëri, por tash jo për futbollin por për një çështje tjetër. Në vitin 1999, kur lufta plasi në Kosovë dhe kur shumë kosovarë u dëbuan me dhunë në Shqipëri, ju organizuat një aksion humanitar. Për çka ishte fjala?

Behej fjalë për ndjenjat që unë po i kaloja në atë kohë. Ndihesha i obliguar moralisht qe duhesha te beja diçka. Kështu që mblodha 150.000 marka te atëhershme bashkë me ndihmën e njerëzve te klubit “Genk” dhe u nisa në Shqipëri bashk me gazetarin e sportit nga Genku Marnik Geukens ku edhe i shpërndava të hollat nëpër familjet gjakovare (374 familje) .

Kjo ishte një shenjë se ju edhe pse jetoni larg mendoni gjithnjë për vendlindjen, Gjakovën dhe për Kosovën?

Unë mendoj se jo vetëm unë por çdo shqiptarë që jeton jashtë vendlindjes ton mendon në ketë mënyrë,  vetëm se unë isha në gjendje që ndoshta mund ta kryeja një gjë të tillë .

A kishit pranuar që të ktheheni në Kosovë,  në ndonjë funksion që do të ndihmonte ngritjen e cilësisë së futbollit kosovarë në arenën ndërkombëtare?

Tani është shumë herët për te folur, mirëpo në një te ardhme jo të largët ndoshta po,  nëqoftëse edhe kushtet do të përmirësoheshin (sidomos në infrastrukturën e fushave).

Pas gjithë kësaj rruge të gjatë në karrierën tënde, çka kishe veçuar   si moment të bukur dhe çka si të keq?

Në një karrierë të gjatë si e imja kuptohet se duhet të besh shumë sakrifica të mëdha si dhe ka momente të bukura dhe të hidhura. Momentet e bukura ishin kampionet e fituara, pjesëmarrja në Champion’s Leuge si dhe tek  kombëtarja, kurse momentet e hidhura kisha veçuar vdekjen e babait tim,  si dhe lëndimet e rënda që të largonin për një kohë  nga fusha e gjelbër.

E keni përmbyllur karrierën e futbollistit aktiv në mënyrën më të mirë, duke vazhduar në cilësinë e asistentit të trajnerit në një klub të njohur evropian, Anderleht. Cila “punë”iu duket më e këndshme, e futbollistit aktiv apo trajnerit?

E kam përfunduar karrierën time siç e kam dashur dhe nuk i kisha shtuar asnjë gjë tjetër. Normal,  që është më lehtë te luash se sa të ulesh ne pankinë,  sepse në fushë mendon për lojën tende kurse në pankinë mendon për të gjithë.

Keni thënë se jeni i lidhur shumë me lojën aktive. A po luani ende futboll?

Vetëm me shokë në mini futboll.

Si po ju ecin punët me klubin dhe sa jeni të kënaqur me rezultatet?

Tani për tani jemi ne vendin e par dhe objektivat janë të përmbushura mirëpo në Anderlecht njerëzit donë gjithmonë më tepër, jo vetëm fitore por edhe lojëra të bukura.

Klubi ka një traditë të gjatë futbolli dhe me siguri se punohet me përkushtim të madh?

Të gjithë në klubin e Anderlechtit janë profesionist dhe shpërblehen vetëm me rezultate.

Si e kaloni një ditë të zakonshme në qytetin…. Ku jetoni dhe punoni?

Dita ime është e përmbushur me futboll. Që nga mëngjesi shkoj ne klub e deri në mbrëmje jam i preokupuar me detyrat e punës profesionale. Nganjëherë më  duhet të shkoj dhe të përcjellë (skutoj) skuadrën kundërshtare me të cilën  luajmë javën pasardhëse. Kurse kohën e paktë të lirë qe e kam e kaloj me familjen time, me bashkëshorten dhe vajzat e mia .

Kemi dëgjuar se në Belgjikë ka mjaft gjakovarë. A takoheni shpesh?

Nganjëherë kur me lejon koha shkoj dhe i takoj shokët e mi qe i kam që nga Gjakova siç janë  Bekim Bytyqi, Arsim Barku, Ilir Vejsa, Hysen Gashi, Valon Gojani etj.

A janë sportdashës edhe pjesëtarët tjerë të familjes?

Të gjithë në familjen time e duan sportin, tani bashkëshortja ime dhe vajzat i shikojnë çdo ndeshje kur ekipi im luan në shtëpi, kurse vajza ime e madhe, DEA merret me tenis dhe basketboll .

Sa keni kohë ti përkushtoheni familjes?

Çdo gjashtë muaj vij dhe e vizitoj familjen time por edhe ata vijnë shpesh këtu ne Belgjikë.

Sa jeni të informuar për rrjedhat në Gjakovë dhe si e hiqni mallin ?

Për rrjedhat nuk mund te them që jam shumë në ngjarje,  mirëpo kur vij me pushime shoh realitetin që bashkëqytetaret e mi ballafaqohen si për gjendjen ekonomike ashtu edhe papunësia që e ka përmbytur rinin tonë. Është anormale që shteti ynë nuk ndërmerr asgjë për të krijuar vende të reja pune  për rininë,  por në vend të këtyre rezultateve konkrete japin premtime boshe. Mallin e heq kur bashkohem me shokë dhe pijmë “alla gjakovare” me muzikën e Xenit,  që na kënaq  dhe ato kohë sa jemi së bashku na bënë të këndshme.

Në emër të lexuesve të gazetës “Gjakovapress” ju falënderojë për intervistën dhe ju dëshirojë vazhdimësi të suksesshme në karrierën e trajnerit sic e kishit edhe si futbollist?

Ju falenderojë!

Intervistoi: Zeki Vehapi