Site icon Gjakovapress

Selim Matoshi, autor i një “trilogjie” për arsim-kulturën, në Malësinë e Gjakovës

Nderim:

 

Selim Matoshi

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

 

1.

Në moshën 80-vjeçare, këto ditë u nda përgjithnjë nga jeta, Selim Matoshi, drejtues i njohur, për afër 10 vjet, i sektorit tw arsimit, kulturës e sporteve, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).

I lindur në fshatin Begaj të atij rrethi, më 6 shkurt 1934, pasi kreu shkollën 7-vjeçare e të mesme, i kreu studimet e larta në degën e historisë e gjeografisë, të Universitetit të Tiranës. Në disa vjet të punës së tij në sektorët, që përmenda në fillim të këtyre radhëve, kam patur kënaqësinë të punonim bashkë, në qytetin “Bajram Curri”. Me atë buzëqeshjen e çiltër dhe dashamirësinë e tij, ai u tregua i palodhur e i përkushtuar në detyrat e rëndësishme  për zhvillimin e arsimit, kulturës e sporteve, në vendlindjen e vet.

Por edhe në vitet pasardhëse, kur doli në pension, duke mos u ndarë nga studimet e botimet në këto fusha, përgatiti tre libra, me vlera dokumentare e historike. Kështu, mbaj mend që, në vitin 2004, ai publikoi librin “Njëshekull dritë: Arsimi në Tropojë, në shekullin e 20-të”. Pasi atë e lexova dhe mbajta shënimet përkatëse, shkrova e botova, në faqet e gazetës “Mësuesi”, një recension modest. Ndër të tjera, shprehesha me fjalë miratimi për punën serioze kërkimore dhe përgjithësimet e bëra në të etj. Në atë kohë, Selimi ishte në Tropojë dhe, pasi e kishte lexuar atë shkrim timin, më mori në telefonin e shtëpisë sonë, në kryeqytet. Ishte i kënqur për vlerësimet e mendimet e shprehura dhe prandaj më falënderoi përzemërsisht.

Por, siç dihet, studiuesi i mirëfilltë nuk e ndërpret lehtë punën e tij kërkimore e botuese. I tillë ishte edhe Selim Matoshi. Pra, si njohës i mirë  edhe i sektorit të kulturës e arteve në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ai i vazhdoi kërkimet, duke mbledhur lëndën e duhur për një botim tjetër të ri. Kështu, katër vjet më vonë, pra në vitin 2008, botoi librin tjetër, “Tropoja, djep kulture”. Janë të shumta dëshmitë dhe faktet e publikuara aty, por dhe nderimi, që ka shprehur për këngëtarë, valltarë e instrumentistë popullorë. Kështu, psh, ka shkruar me respekt të veçantë edhe për këngëtaren Fatime Sokoli, rapsodin Sokol Arifi, për Murat Alinë, Agë Rrustemin e Hazir Rrustemin, për valltaren e talentuar popullore Xhavahire Gashi dhe për sa e sa veprimtarë të kulturës dhe artistë të tjerë të vendlindjes së tij.

 

2.

Rasti e solli që, në vitin 2011, të merrja pjesë në përurimin e librit të tretë të Selim Matoshit, “Sportet në trevat e Malësisë së Gjakovës (Tropojë)”, organiuzuar në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet. Pastaj, shkrova një njoftim të shkurtër, i cili u publikua në disa faqe Interneti e në shtyp. Ndër të tjera, aty shprehesha:

“Pra, si të thuash, ky libër ishte pjesë e një “trilogjie” dhe përmbyllte veprimtaritë e këtyre fushave, në të cilat për një periudhë disavjeçare autori ka qenë dëshmitar e ka dhënë ndihmesën e tij të çmuar. Libri përmban 326 faqe dhe është i shoqëruar me disa fotografi dhe literaturën përkastëse të shfrytëzuar.

Rreth këtij libri e vlerave të tij, folën publicistët Ramiz Lushaj e Sadri Rrahmani. Ndërsa sportisti veteran Azem Hyka solli kujtimet e tij, nga veprimtaritë e zhvilluara dhe për meritat e veçanta, që kanë patur dhe vazhdojnë t’i  kenë, deri në ditët tona, djemtë e vajzat tropojane, në fushat e fizkulturës e sporteve të ndryshme.

Në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, përshëndeti publicisti e shkrimtari Enver Bytyçi. Ai nënvizoi meritat e veçanta të botimeve të autorit Selim Matoshi, në fushën e arsimit, kulturës dhe sporteve për vendlindjen e tij, që janë pjesë e rëndësishme e traditave tona kombëtare. Me këtë rast, mbesa e tij, Merita Tafaj e përqafoi me shumë përzemërsi atë, i uroi jetëgjatësi e libra të tjerë dhe tha: “Jam krenare me ty dhe të kam në zemër, gjyshi im!”

…Ja, pra, kolegu e miku ynë i paharruar Selim Matoshi, nuk ndodhet më ndërmjet nesh. Por ai la pas një emër të mirë, me punën e përkushtimin në fushat, ku punoi e dha ndihmesën e tij të pakursyer. Por mbeten një pasuri e çmuar për brezat edhe tre libra të tij, për arsimin, kulturën e sportet, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).

Me këtë rast, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarave, kolegëve e miqëve të shumtë te tij, duke qenë të bindur se emri i tij do të kujtohet gjatë.

Tiranë, 16 tetor 2014

 

Exit mobile version