Monday, December 30, 2024
Gjakova Presss

Shënim për Gjon Nikollë Kazazin

NgaEtleva Lala & Musa Ahmeti

Autori shqiptar më i spikatur i shekullit XVIII, që ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe është Gjon Nikollë Kazazi. Studiuesit kanë rënë tashmë dakord që shqipja e shkruar nga ai ishte e dialektit të Gjakovës dhe të bën një përshtypje shumë pozitive përsa i përket pastërtisë dhe bukurisë së saj. Veprën e tij Kazazi e botoi në Romë në vitin 1743. Gjatë qëndrimit në Romë, Gj.N. Kazazi, në vitin 1740  zbuloi në Bibliotekëne Propagandes Fide të vetmin eksemplar të ruajtur deri me sot të “Meshari” të Gjon Buzukut të botuar në vitin 1555.

Autori shqiptar më i spikatur i shekullit XVIII, që ka shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe është Gjon Nikollë Kazazi. Studiuesit kanë rënë tashmë dakord që shqipja e shkruar nga ai ishte e dialektit të Gjakovës dhe të bën një përshtypje shumë pozitive përsa i përket pastërtisë dhe bukurisë së saj. Veprën e tij Kazazi e botoi në Romë në vitin 1743.

Sigurisht që vepra e Gjon Nikollë Kazazit ka rëndësi parësore për albanologjinë dhe shqipen e shkruar, sidomos për studimet e saj në shek. XVIII. Megjithatë në këtë shkrim nuk do të përqëndrohemi te vetë vepra e Gjon Nikollë Kazazit, por te një shënim i tij që gjendet në njërën nga ksombllat e botuara, dhe për të cilën nuk është folur kurrë. Në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, gjendet një ksombël me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2), në faqet e fundit të së cilës, përkatësisht në f. 47 dhe 48 është një shënim që është i vetë autorit, Gjon Nikollë Kazazit. Te ky përfundim kemi arritur pasi kemi konsultuar dorëshkrimet e Kazazit që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit (ASV), në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (BAV) dhe në arkivin e Propaganda Fide.

Në dukje të parë, ky shënim prej dy faqesh nuk duket edhe aq i rëndësishëm, por kur analizohet përmbajta e tij dhe koha e shkrimit, ai fiton një vlerë të shumëfishtë dhe tepër domethënëse. Duke qenë autograf i vetë autorit që jetoi në shek. XVIII, i cili njihte shumë mirë territoret etnike shqiptare dhe ato në të cilat flitet gjuha shqipe, informacioni që ai shënon në gjuhën italiane, për territoret në të cilat flitet gjuha me një theks të veçantë për pjesët veriore dhe verilindore të vendit duke shënuar edhe toponime të sakta (me këtë rast theksojmë se vetëm një toponim është i panjohur për ne: Qivia, që nuk kemi arritur ta zbërthejmë. Mund të jetë Qidhna, por kjo na duket e pamundur sepse vetë renditja e territoreve që përmend autori nuk lejon gjeografikisht për të pohuar me saktësi një gjë të tillë).

Me qëllim që ky shënim, që mendojmë se duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesve albanologë, historianëve dhe të interesuarve të tjerë, të jetë i konsultueshëm nga të gjithë të interesuarit, po sjellim tekstin e sipërcekur në të dy faqet në fund të ksomblës së Kazazit që ruhet në BAV, duke i transliteruar dhe përkthyer ato në gjuhën shqipe dhe njëkohësisht duke i shoqëruar edhe me faksimilet e origjinalit. Me këtë rast duhet të theksojmë se fjalia e parë është në gjuhën angleze, e cila e shton edhe më shumë vlerën dhe përgatitjen intelektuale ndoshta edhe të vetë Kazazit.

Kush është Gjon Nikollë Kazazi?

Gjon Nikollë Kazazi ka lindur në Gjakovë në vitin 1702. Studioi si konviktor i Kolegjit Ilirik të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Fermo, ku arriti më 21 maj të vitit 1720. Që nga muaji qershor i të njejtit vit, ai kaloi në Loreto, në Kolegjin Ilirik të atjeshëm. Sipas deshmisë së deshmitarit, me rastin e emërimit për kryeipeshkv të Shkupit më 1743, Feliks Mandinit, Gj. N. Kazazi atëherë ishte 41 vjeç dhe studimet i filloi në moshën 18 vjeçare. Në Kolegjin Ilirk të Loretos ai studioi lëndet gramatikore, dhe zuri vendin e kandidatit të kryeipeshkvisë së Shkupit.

Në vitin 1722 studioi lëndët retorike, ndërsa në vitin 1723 studioi filozofi. Për shkak të humbjes së regjistrave të konviktorëve për disa vite në vijim, nuk mund të konkludohet me siguri, se në cilin vit Gjoni i ka mbaruar studimet në Loreto. Mirëpo, tanimë i përmenduri deshmitari Feliks Mandini me rastin e emërimit të Gjonit për kryeipeshkv të Shkupit, deshmon se ai kishte 16 vjet që kryente detyren e priftit. Nga kjo deshmi mund të mësojmë se Gjoni studimet i ka mbaruar në vitin 1727, dhe se po atë vit është shuguruar prift. Duke përfunduar studimet, Gjoni ka doktoruar në filozofi dhe teologji.

Me t’u kthyer në kryeipeshkvinë e Shkupit, kryeipeshkvi Mikel Suma e emëroi misionar në qytetin e bukur të Prizrenit. Don Gjoni është transferuar nga Prizreni në Gjakovë për shërbim pastoral, të cilin e kryente së bashku me don Anton Teodorin. Kryeipeshkvi Gjon Nikolla ishte për herë të fundit në vitin 1750 në Romë dhe me atë rast personalisht bëri vizitën “ad Limina” në Bazilikën e Shën Pjetrit me 2 prill të vitit 1750, po të njëjtën ditë ka vizituar edhe Bazilikën e Shën Palit në rrugën e Ostisë. Gj. N. Kazazi, kryeipeshkvi i Shkupit, vdiq më 5 gusht të vitit 1752.