Shënohet 100 vjetori I shkollës së Cermjanit
Në qendrën e Dushkajës, në fshatin Cërmjan të Gjakovës të hënën u shënua 100 vjetori i shkollës së parë shqipe. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë personalitete të shquara të jetës arsimore, shkencore, të kulturës e të politikës. Fillimisht, Drejtor i Shkollës, Ramiz Hoxha, duke folur historikun e kësaj vatre mësimore tha se Shkolla e Cërmjanit konsiderohet ndër shkollat e para shqipe në Kosovë, që u hapën në vitin 1915, me angazhimin e atdhetarëve të mëdhenj të kohës dhe me mbështetjen e Qeverisë së Habsburge të Austro-Hungarisë:
“Shkolla shqipe në Cërmjan të Gjakovës, që nisi punën saktësisht, më 16 tetor të vitit 1915, kishte për mësues të parë pishtarin e arsimit dhe patriotin e shquar gjakovar të kohës, Muharrem Domin, kurse ajo ishte hapur me iniciativën e patriotit Bajram Curri”, tha Hoxha duke kujtuar rrugëtimin e gjatë të shkollës shqipe në këtë zonë.
Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili ka potencuar rolin gjithëpërfshirës të shkollës shqipe gjatë historisë. Ai kujtoi rëndësinë e shkollës “Ali Hasi” dhënë në 100 vitet të funksionimit të saj.
“Shembulli i kësaj shkolle duhet të na shërbej për të ngritur nivelin e edukimit në gjithë Kosovën përmes angazhimit dhe përkushtimit të institucioneve dhe mësimdhënësve” tha Bajrami.
Në fjalën e saj kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila tha se Gjakova dha shumë patriot, intelektual dhe njerëz të guximshëm të cilët i përballuan sfidat e kohës dhe arritën që të vendosin baza të forta drejt qëllimit të përbashkët dhe fisnik, për një arsimim dhe edukim të vazhdueshëm ndër breza.
“Shkolla për të cilën po flasim, sot po përmbush një shekull, jeta e së cilës na tregon gjithë neve, se filloi me iniciativën e një trimi të madh siç ishte Bajram Curri, dhe u përmbush sërish me trimërinë e një mësimdhënësi tjetër gjatë luftës së fundit, siç ishte Ali Hasi.
Distanca në mes të këtyre dy patriotëve, përbën një shekull me mund, sakrificë, beteja, luftëra dhe sfida, për të mbajtur arsimin gjallë, për të fituar lirinë e mësimit dhe për të përmbushur së fundmi standardet e mirëfillta të një edukimi cilësor”, tha ndër të tjera Kryetarja Kusari-Lila.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Ali Hasi”, i ka përgëzuar përmes një letre edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila dikur ishte nxënëse në këtë shkollë. Gjithashtu fjalë rasti në këtë organizim kanë mbajtur, ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës Dijana Qarkaxhija, përfaqësues të veteranëve të arsimit, kurse para të pranishmëve është shfaqur edhe një program kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës “Ali Hasi”.
Në fund të këtij organizimi në oborrin e shkollës, është zbuluar edhe simboli i 100 vjetorit të shkollës “Ali Hasi”.