Gjakovapress

Shënohet 27 prilli Dita e të pagjeturve

meja-jpg1335531214Në lëndinën e pikëllimit sot u mbajt manifestimi qendror I Ditës shtetërore të të pagjeturve të Kosovës. Familjarët e rreth 380 martirëve nga Masakra e Mejës në Gjakovë, janë lodhur duke dëgjuar tash e sa vjet vetëm premtime por asgjë konkrete në realizimin e tyre. Përveç pakënaqësisë për gjendjen e mjerueshme ekonomike e sociale me të cilën po përballen shumica prej tyre, ata janë shprehur të zhgënjyer edhe me mos ndërtimin e komplektit memorial në “Lëndinë e Pikëllimit” në Meje, në vendin ku 14 vjet më parë u vranë e u masakruan civilët shqiptar.

E pakënaqësinë e familjarëve e ka kuptuar edhe kryetari i komunës Pal Lekaj, i cili në fjalën e tij  ka thënë se komuna po e bën të pamundurën ta realizojë premtimin e dhënë tash e sa kohë.

Në akademinë përkujtimore në nderim të 27 prill, ditës së të pagjeturve, ka folur edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila në fjalimin e vet përgjithësisht i është përshtatur vijës institucionale për tolerancë e bashkëjetesë.

“Republika e Kosovës është shtet qytetar, vend i njerëzve të barabartë dhe të lirë, pa dallim përkatësie kombëtare apo fetare. Ne e ndërtojmë vendin dhe marrdhënjet mes njerzve në bazë të dashurisë dhe të mirëkuptimit e jo të urrejtjes”, ka thënë presidentja, e cila megjithatë ka rikujtuar se Kosova nuk do t’i falë asnjëherë ata që bënë krime e maskara, duke e kërkuar dënimin e merituar për ta.

Në manifestimin që është organizuar nga kryeministri Thaçi, në emër të qeverisë ka folur Prenkë Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, ndërs në emër të Kuvendit të Kosovës kanë folur deputetet Suzanë Novobërdaliu dhe Teuta Haxhiu, kjo e fundit si deputete e zonës. Të gjithë folësit e kanë drejtuar gishtin tek institucionet ndërkombëtare, nga të cilat kanë kërkuar më shumë presion mbi Serbinë dhe shtetin serb që përfundimisht të zbardhet fati edhe i rreth 1750 personave që vazhdojnë të mungojnë edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës.

 

Exit mobile version