Gjakovapress

Shënohet pesë vjetori i Pavarësisë

pavarsia

Gjakova sot ishte e stolisur me flamuj në të gjitha rrugët kryesore dhe sheshet, duke i dhënë ngjyrë kremtes së pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kësaj dite historike të 17 shkurtit 2008, kur vendi ynë u shpall më në fund shtet i pavarur e Sovran, me integritet politik, territorial e nacional të vetin, duke u shkëputur nga sundimi njëshekullor i Serbisë.

Festa zyrtare që është organizuar nga institucionet lokale, konkretisht nga drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka filluar me nderim në varrezat e dëshmorëve e martirëve në qytet dhe disa fshatra të Gjakovës, për të përfunduar me një akademi solemne, si momenti kryesor i ditës festive. Duke tërhequr paralele nga vuajtjet dhe sakrifica e Gjakovës për këtë ditë, kryetari i komunës Pal Lekaj, në fjalen e tij ka kërkuar që të gjithë sëbashku të bëjnë më shumë për  qytetin e tyre, sepse siç ka thënë ai, ndonëse ka lëvizje, pozitive, Gjakova meriton të jetë shumë më mirë.

E krahas manifestimit qëndror, homazhe e aktivitete tjera kanë bërë edhe subjektet politike opozitare në Gjakovë. Homazhe kanë bërë anëtarë të LDK-së të prirë nga nënkryetarja e partisë Teuta Sahatqija dhe kryetari i degës Luan Gola ndërsa të njejten gjë e kanë bërë edhe ata të AKR-së, që janë prirë nga zëvendës presidentja e partisë dhe zëvendës kryeministrja Mimoza Kusari – Lila e kryetari i degës Shpetim Rudi. Këta të fundit gjatë ditës e kanë vendosur në qendër të qytetit edhe një pano të madhe me flamujt e të gjitha shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, në mesin e qytetarëve ndjenjat dhe emocionet kanë qenë të përziera, pasi krahas gëzimit për pavarësinë, shumë prej tyre kanë thënë se nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike e sidomos ekonomike në Kosovë e Gjakovë.

Exit mobile version