Shkoi Diaspora që sjellë gjithnjë gjallëri!
Me mbarim e stinës së verës Diaspora ka mbaruar edhe pushimet verore, të cilat bënë që qyteti të jetë i gjallëruar, ndërsa objektet tregtare e hoteliere të mbushura plot. Ditëve të fundit, ka mbetur një numër më i vogël i mërgimtarëve. Kjo vërehet nga veturat e shtrenjta me regjistrime nga shtete të ndryshme të botës. Por, edhe në sektorin privat, sidomos në lokalet shërbyese, është stabilizuar orari i punës, pasi gjatë sezonit, konkretisht në muajin korrik dhe gusht, shumë lokale zgjasin orarin e tyre të punës deri në mesnatë. Një pjesë e madhe e dyqaneve të tekstilit dhe artizanateve në Çarshinë e Madhe kanë punuar edhe ditëve të diela. Mërgimtarët të cilët pushimet i kalojnë në Kosovë, shpenzojnë vlera të konsiderueshme të mjeteve materiale, duke filluar në sektorët shërbyes dhe patundshmëri. Madje, disa nga ta thonë se gjatë gjithë vitit kursejnë para, në mënyrë që të shpenzojnë për pushimet në Kosovë. Për një muaj pushim, disa nga ta thonë se shpenzojnë deri në katër mijë euro.
Rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, vijnë për pushim në Kosovë, gjatë sezonit të verës. Këto të dhëna rezultojnë nga procesi i regjistrimit të Diasporës, që është duke vazhduar që nga viti 2013 nën përkujdesjen e Ministrisë së Diasporës, raporton Radio Evropa e lire. Ekspertë të ekonomisë , kanë thënë se deri në një miliard euro, arrin shuma e mërgimtarëve që shpenzojnë në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festat e fundvitit. Përveç shpenzimeve që mërgimtarët bëjnë për pushime në Kosovë, numri më i madh i tyre gjatë tërë vitit dërgojnë mjete për familjarët. Sipas të dhënave zyrtare, shuma e mjeteve të dërgesave të emigrantëve kosovarë që çdo vit hyjnë në Kosovë është rreth 600 milionë euro. Anipse nuk ka të dhëna të sakta, komuna e Gjakovës ka një diasporë të fuqishme, kryesisht në Zvicër e Gjermani por edhe në vende tjera. Vetëm në Zvicer konsiderohet se punojnë e jetojnë rreth 50 mijë bashkëqytetarë.