Gjakovapress

Shkolla e muzikes nga Gjakova me sukses prezantohet në Bazel

astrit pallaska ne Zvicer

Pamja që formojnë 120 koristë, kosovarë e zviceranë  me bluzat e tyre të kuqe, të zeza e të bardha në skenën e Teatrit të Bazelit është tepër impresionuese. Edhe më impresionues janë kur koristët fëmijë zviceranë këndojnë këngë nga tradita e muzikës shqiptare ose koristët kosovarë këngët zvicerane. Ajo që del nga këto pikëpjekje muzikore është një përjetim i këndshëm për publikun e madh në sallën e Bazelit.

E gjithë kjo në Festivalin “Culturescapes”, hapja zyrtare e të cilit është bërë mbrëmjen e të shtunës. Fatin për ta hapur atë me program artistik e ka pasur kultura nga Kosova, respektivisht kori i Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” nga Gjakova. Po ashtu edhe nga aspekti institucional mund të thuhet se shteti më i ri i Evropës ishte më i privilegjuari. Ministri Memli Krasniqi ka qenë ministri i vetëm i një shteti që me fjalën e tij së bashku me nikoqirët zviceranë ka bërë hapjen e festivalit ku marrin pjesë kulturat e të gjitha vendeve të Ballkanit, transmeton albinfo.

Nxënësit nga Gjakova shkëlqyen si me këngët në gjuhen shqipe ashtu edhe në interpretimin e këngëve në gjuhën gjermane, të cilat i kënduan së bashku me korin e djemve të Bazelit, Knaben Kantorei. Këtu ka gjetur shprehjen puna e përkushtuar e vetë nxënësve por edhe e udhëheqësit të tyre dhe dirigjentit, Astrit Pallaska si dhe e çiftit zviceran Dorothea dhe Georg Fankhauser, të cilët kanë meritat më të mëdha për pjesëmarrjen e këtij kori në festivalin e madh të Bazelit.

Qartas i entuziazmuar me programin e mbrëmjes së parë të festivalit, ministri i kulturës i Kosovës Memli Krasniqi u shpreh për albinfo.ch se ai dhe ministria janë për një kohë të gjatë në kontakt me organizatorët e festivalit dhe kanë zhvilluar një partneritet të mirëfilltë me ta.

“Ka dy vite që ne si ministri jemi zotuar për të qenë partnerë kryesorë të realizimit të edicionit  të sivjetmë të festivalit. Ne si parterë kemi financuar të gjitha evenimentet dhe grupet nga Kosova që vijnë për të performuar gjatë dy muajve sa do të zgjasë festivali këtu, në Zvicër. Dihet se festivali mbahet paralelisht, në Zvicër dhe në Ballkan. Por ne po ashtu kemi marrë pjesë edhe në financimin e aktiviteteve artistike që gjatë kësaj kohe në kuadrin e këtij festivali vijnë nga Zvicra në Kosovë”, thotë ministri Krasniqi.

Dhe kjo sigurisht nuk është pak, pasi që bëhet fjalë për më tepër se 100 njerëz të artit që do të qëndrojnë në Zvicër në periudha të ndryshme gjatë zgjatjes së festivalit. “Vetëm kori i Gjakovës bashkë me udhëheqësit e tij përbën një grup prej rreth 60 vetave”, sqaron ministri. Ai shprehet i kënaqur me performancën e korit ndërsa pret që njësoj të suksesshëm të jenë edhe të gjithë pjesëmarrësit e festivalit nga Kosova që do të prezantojnë kulturën shqiptare gjatë dy muajve në vijim

Nëse mund të thuhet se ka protagonist në grupin e artistëve nga Kosova që janë pjesë e programit të festivalit ai është Astrit Pallaska. Astriti është drejtor i Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” dhe njëherësh dirigjent i korit të kësaj shkolle po qëndron në Bazel të Zvicrës. Me profesionalitetin e tij por dhe me shkathtësinë e komunikimit që e dallon, ai ka merita për ardhjen e grupit nga Gjakova në Zvicër.

Ai thotë se më të merituarit për këtë pjesëmarrje janë zviceranët Dorothea dhe George Fankhauser, me të cilët shkolla e muzikës e Gjakovës është miqësuar prej kohësh.

“Ka shtatë vite që bashkëpunojmë me komunitetin muzikor të Bazelit. Çifti Fankhauser ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë shkollën tonë por edhe shkollat tjera muzikore dhe muzikën në përgjithësi në Kosovë. Na kanë siguruar bazë materiale të shkollës sonë. Pos këtyre ndihmave, ata kanë iniciuar edhe sjelljen e grupeve muzikore nga Zvicra në Kosovë. Kohë më parë në Gjakovë ata sollën korin Knabenkantorei të Bazelit.

Gjatë qëndrimeve në Kosovë atyre u ka lindur ideja për të prezantuar korin e shkollës tonë në Zvicër. Dhe rasti erdhi. Kur drejtori i festivalit Culturescapes Jurian Coimann po bënte përzgejdhjen për festivalin e përmendur ai zgjodhi korin tonë dhe mjuziklin e parë shqiptar, i cili është realizim i shkollës sonë. Ndërsa për ne ishte privilegj vendimi që kori ynë ta hapë festivalin”, thotë Pallaska. Me këtë përzgjedhje, përgjegjësia jonë më nuk ishte përgjegjësi shkollore por kombëtare sepse ne në këtë festival e përfaqësojmë gjithë kombin shqiptar.

Lidhur me përgatitjen e programit muzikor të përbashkët me korin nga Bazeli ai thotë se  është bërë me përkushtim të madh sepse nuk është e thjeshtë të punohet me dy kore të karaktereve të ndryshme, sikurse ka ndodhur me këtë rast. Ishte mrekulli të dëgjoheshin nxënësit tanë duke kënduar këngë e në gjuhë gjermane ashtu sikurse dhe fëmijët zviceranë në gjuhen shqipe. Nxënësit tanë këndonin këngë korale të Mendelsohnit e ata zviceranë këngët popullore të përpunuara shqiptare… Për nga niveli mund të thuhet se kori ynë është përafërsisht në nivelin që e kanë koret e këtushme. Prania jonë këtu si një vend i vogël e i ri është privilegj i madh që na bëhet, thotë Astrit Pallaska.

Ai tregon edhe për akomodimin e anëtarëve të grupit. “Dy ditët e para jemi të vendosur në hotel, ndërsa pjesë tjetër të qëndrimit nxënësit tanë do ta kalojnë nëpër shtëpitë e mikpritësve zviceranë. Njësoj ka qenë edhe kur kori prej 64 nxënësve nga Zvicra pati vizituar Gjakovën.

“Fillimisht  patën vendosur në hotel. Më vonë ata “morën guximin” të vinin në familjet gjakovare , me ç`rast e vlerësuan lartë mikpritjen e tyre. Dhe pritja që po na e bëjnë tash këtu është edhe si falënderim për mikpritjen që kanë përjetuar ata te ne”, përfundon Astrit Pallaska.

Shfaqja e radhës të korit të Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova” me Knaben Kantorei të Bazelit do të jetë më 27 tetor në Offenekirche Elisabetthe në Bazel. Ndërsa mjuzikli ”Arjeta dhe Gëzimi”, realizim i po kësaj shkolle, do të shfaqet më 23 dhe 24 tetor në Rudolf Steiner Schule në Bazel, ndërsa më 25 nëntor në Sallën e Komunës në Rümlang të Cyrihut dhe më 28 tetor në “Neues Theater am Bahhof Dornach”

. (Marrë ngaalbinfo.ch)

Exit mobile version