Shoqata Jakova, për 16 vjet, çerdhe e intelektualëve
Intelektualët gjakovar të mbledhur ne shoqatën e tyre Jakova, për 16 vite të regjistrimit dhe 15 vjet të punës intensive, janë bërë pjesë e frymëmarrjes së komunës se Gjakovës. Idetë, debatet, publikimet dhe organizimet e ndryshme, janë pjesë e arritjeve të kësaj shoqate e cila të hënën, me një akademi solemne rekapituloi arritjet dhe synimet. Kryetari i shoqatës Jakova, Ruzhdi Sefa në hapje të akademisë tha se ky rrugëtim ka reflektuar me suksese.
“Qëllimi i Shoqatës është që të tubojë në kuadër të saj komunitetin intelektual e shkencor, pa dallim politik, fetar, gjinor, nacional apo racor. Për Shoqatën afrimi i potencialit të intelektualëve është sa domosdoshmëri, po aq nderë e krenari”, ka thënë Sefa.
Për punën e shoqatës foli edhe prof. Muhamet Rogova. Ai kujtoi sfidat dhe rrugëtimin e gjatë të shoqatës.
“Shoqërisë kosovare i nevojiten shumë intelektual. Ata mbesin një krah i zhvillimit të përgjithshëm”, ka thëne Ardian Gjini, kryetar i komunës së Gjakovës. Gjini, uroi që shoqata ta vazhdojë punën edhe në të ardhmen.
Në akademinë kushtuar këtij përvjetori, për rolin e intelektualit foli shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi. Sipas tij, intelektualët e kohës së para-luftës kanë arritur të projektojnë ardhmërinë e shtetit të tyre, ndërkaq sot njerëz jointelektualë e kanë sjellë vendin në një gjendje tejet të vështirë.
Ai theksoi se më e keqja është se edhe e ardhmja e fëmijëve rrezikohet nga një sistem i dobët arsimor.
Para akademisë për të shënuar këtë përvjetor në foajen e Pallatit të Kulturës, “Asim Vokshi”, është hapur një foto ekspozitë, ku është pasqyruar puna ndër vite. Po ashtu janë ekspozuar edhe librat të cilat kjo shoqatë i ka mbështetë në mënyra të ndryshme.
“Shoqata e intelektualëve Jakova nga ditët e para të themelimit kishte mbledhur akademikët, profesorët dhe intelektualët gjakovarë por jo vetëm ata, dhe ishte vendi më i përshtatshëm i ideve dhe projekteve zhvillimore në të gjitha fushat” tha akademik Minir Dushi.
Në akademinë e sotme u dha propozimi i shoqatës së intelektualëve Jakova për ngritjen e obeliskut të Mësuesit në Gjakovë ndërsa u lexua edhe propozimi drejtuar Kuvendit të Kosovës, për caktimin e një date kushtuar Intelektualit. Shoqata gjithashtu ka dhënë edhe propozimin për ndarjen e çmimit Intelektuali i guximshëm.
Në fund u ndan mirënjohje për gjithë ata që kanë kontribuar në arritjet e shoqatës së intelektualëve Jakova. Një mirënjohje e veçantë iu nda prof dr. Masar Rizvanollit i cili me sukses drejtojë këtë shoqatë që nga themelimi.