Shpallen Fermerët e Vitit 2015
Fermerët më të suksesshëm për këtë vit nga komuna e Gjakoves janë shpallur Muharrem Karakushi në lëmin e lavërtarisë, Gjyle Hyseni në lëmin e bletarisë, Skender Rexha në lëmin e pemëtarisë, Miradije Gjoni në lëmin e blegtorisë dhe Astrit Selimaj në lëmin e shpeztarisë.
Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën së Gjakovës, si në çdo fund të vitit, të enjten ka bërë përzgjedhjen e fermerëve më të suksesshëm të vitit 2015.
Në këtë ceremoni, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, theksoi se gjatë këtij viti me një përkushtim të veçantë është investuar në sektorin e bujqësisë, ku janë bërë përpjekje për investime përmes subvencioneve që arrijnë vlerën prej mbi 160 mijë euro, si dhe përmes investimeve kapitale që arrijnë shumën prej rreth 150 mijë euro.
Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me shpalljen e fermerëve të vitit ka theksuar se ka qenë një listë e gjerë e fermerëve të vyeshëm si kandidatë potencial.
Fermerët më të suksesshëm për këtë vit janë shpallur Muharrem Karakushi në lëmin e lavërtarisë, Gjyle Hyseni në lëmin e bletarisë, Skender Rexha në lëmin e pemëtarisë, Miradije Gjoni në lëmin e blegtorisë dhe Astrit Selimaj në lëmin e shpeztarisë.
Fermerët e përzgjedhur, nga Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të shpërblehen me nga treqind euro.