Shpejtësi marramendëse e veturave dhe motorëve nëpër rrugë!!!
Këto ditë vere kur qyteti ka fituar gjallërinë me ardhjen e bashkëqytetarëve tanë nga diaspora për pushime në vendlindje , një dukuri që po shqetëson është ngasja e shpejtë e veturave, në rrethanat kur numri i veturave është dhjetëfishuar dhe kur rrugët mezi i zënë të gjithë pjesëmarrësit në trafik! Kjo dukuri bëhet më shqetësuese posaçërisht në orët e mbrëmjes deri në orët e vona kur dëgjohen më të madhe fishkëllimat e gomave dhe shpejtësia e madhe e disa automjeteve nëpër rrugët kryesore të Gjakovës. Si duket pritjet e gjata në udhëkryqe, në hyrje dalje të qytetit për Prizren, Pejë, Prishtinë dhe Shqipëri kah lagja MullaJusuf për Qafë Prushi dhe Morinë, pastaj pamundësia e lëvizjes normale nëpër disa rrugë në qytet si: Rruga Vashingtoni, Musa Zajmi, Isa Boletini, Ali Pashë Tepelena, rruga e Çabratit, dhe rrugët në bllokun e ri, po krijojnë nervozizëm tek disa shoferë. Ata si duket po “zbrazin” nervozen me ngasje tejet të shpejtë në rrugët që paraqesin fyt të ngushtë për trafikun.
Në anën tjetër pothuajse në të gjitha rrugët një dhe dy kahore, në mungesë të hapësirave për parkingje janë të renditura veturat e parkuara duke mos lënë hapësirë për qarkullim normal.
Një gjendje e tillë padyshim se rritë pasigurinë e këmbësorëve por edhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik. Padyshim se tejkalimi I shpejtësisë dhe zhurma shurdhuese e motorëve, jo vetëm në rrugët brenda qytetit por edhe në rrugët periferike sjell aksidente të reja. Edhe pse Policia e Kosovës gjatë vitit 2014 ushtron kontrolle të vazhdueshme, në të gjitha akset rrugore si ato urbane po ashtu edhe në ato rajonale, aksidente me vdekje nga viti i kaluar janë në rritje.
Nga shifrat zyrtare të Policisë pesë persona që kanë vdekur janë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit që shkoi. Për gjashtë muajt e parë të të këtij viti 61 persona kanë humbur jetën në fatkeqësi komunikacioni. Sipas Policisë aksidentet me lëndime janë në rënie por jo edhe numri i personave të lënduar.
Prandaj, këshilla jonë: Kujdes në trafik si për këmbësorët ashtu edhe për shoferët! Pushimet verore bëhen më të këndshme kur nuk përjetojmë ndonjë aksident!