Sunday, December 29, 2024
AktualeLajme

Shqiponja nderon të rënët për liri

Nën Patronatin e Kuvendit të komunës së Gjakovës, sot  në fshatin Shqiponjë u shënua 14 vjetori i ditës së çlirimit të këtij fshati, me ç`rast u përkujtuan dëshmorët e rënë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” dhe të Brigadës 135 “Agim Zeneli”. Me këtë rast, kryetari i komunes, Pal Lekaj ka vlerësuar lart kontributin e këtij vendi të vogel për popullin shqiptar.

“Në Shqiponjë  ruhet një copë kujtesë e betejave, nga ajo histori e dhimbshme  e  luftës e cila ishte e pamëshirë ndaj jetës e lirisë së shqiptarëve. Këtu  ruhet një copë shqiptarie me monumente  të  lirisë,  ku para tyre vijmë të përsërisim betimin, për ta ruajtur lirinë, vijmë për ta ngacmuar kujtesën tonë dhe vijmë për të bërë një orë historie për dinjitetin kombëtar. Ajo që ka ndodhur këndej,  dhe kudo në Kosovë, nuk do të  kujtohet vetëm si një e kaluar sa për ta kujtuar njëhere në vit, sepse edhe më tej jemi duke shëruar plagë lufte, jemi duke rindërtuar e duke riparuar shumëçka” ka thënë Lekaj në fjalen e tij.

Edhe ish- pesidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka ngritur lart vepren e të rënëvë për liri në Shqiponjë. Ai tha se Shqiponja ka qenë një simbiozë për të arritur lirinë, ishte fryma Rugoviste, e Jasharajve dhe Haradinajve.

Në përvjetorin e çlirimit të Shqiponjës ka folur dhe ish-gjenerali dhe deputeti aktual Daut Haradinaj i cili ka thënë se pa jetësimin e amanetit të dëshmorëve shqiptaria nuk mund të ecën përpara.

Me fjalë rasti mirënjohëse janë shprehur edhe Ali Buzhala dhe Stiven Shuk, ndërkaq gjenerali Lahi Brahimaj, në emër të bashkëluftëtarëve, familjeve të dëshmorëve dhe të Shqiponjës ka falënderuar  pjesëmarrësit në këtë përvjetor./radiogjakova, foto Tv Syri Vizion/