Shtyhet Mitingu, Letër e hapur kritike Ministrisë së Kulturës…
Mitingu tradicional i poezisë në Gjakovë që mbahej tradicionalisht në fillim të muajit Maj do të shtyhet për në shtator. Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” si organizator i kësaj ngjarje unike në vend si shkas i zhvendosjes së datës së mbajtjes, përmend mbështetjen e pamjaftueshme financiare ana e Ministrisë së Kulturës. Këtë veprim anëtarët e kryesisë së klubit e konsiderojnë si fyerje dhe “fundosje” me vetëdije të një traditë mbi gjysmëshekullore, prandaj janë drejtuar edhe me një letër të hapur. Në letrën e hapur thuhet:
Të nderuar udhëheqës të Ministrisë së Kulturës,
Kur e kemi dorëzuar projektin për Mitingun e 53-të të Poezisë as edhe një çast të vetëm nuk kemi menduar që duhet të bëjmë këtë shkrim për të treguar faktet vijuese(pasi kemi bindjen e plotë që duhet t’i dini):
Mitingu i Poezisë është institucion nismëtar i traditës së mirëfilltë poetike në Kosovë, është djepi ku janë përkundur ëndrrat e realiteti i letërsisë sonë.
Në Mitingun e Poezisë, gjatë viteve, kanë qenë pjesëmarrës emrat më të njohur të letërsisë shqipe si: Xh. Spahiu, I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, A.Podrimja, A.Shkreli, E. Mekuli, O. Grill, V. Zhiti e i pafund është vargu i poetëve pjesëmarrës në Mitingun e Poezisë që janë emblemë e letërsisë sonë, ashtu siç është i pafund vargu i poetëve të huaj pjesëmarrës, të cilët u bënë zë i letërsisë sonë në vendet e tyre.
Mitingu i Poezisë ka arritur t’i kapërcejë të gjitha vështirësitë që i kanë dalë përpara gjatë rrugës mbi gjysmëshekullore, vështirësi që erdhën nga armiku,por këto vështirësi vetëm sa e forcuan më shumë Mitingun e Poezisë, i dhanë edhe më shumë jehonë. E nëse goditja e armikut të bën më të fortë e të pathyeshëm, goditja e mikut, nga s’e pret, është e rëndë e gati-gati e pakapërcyeshme.
Klubi Letrar Gjon Nikollë Kazazi, që tradicionalisht është organizator i Mitingut të Poezisë, klub që ka rritur e është rritur nga poetë si: Din Mehmeti, Besim Bokshi, Enver Gjerqeku, Ali Musaj, Jusuf Buxhovi, Rexhep Hoxha, Agim Deva, Teki Dervishi, Agim Gjakova, N. Soba, Mazllum Saneja, Ali Podrimja, sot ndihet i fyer nga “përkrahja” me 1000 euro nga Ministria e Kulturës.
Nëse hipotetikisht dikush do pyeste “Pse”(pasi nuk besojmë që dikush, qoftë edhe ata që kanë njohuri minimale rreth organizimeve letrare), rikujtojmë:
Mitingu i Poezisë është organizim që zgjat plot një javë.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë ftohen poetë nga të gjitha trojet shqiptare.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë ftohen poetë ndërkombëtarë.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë organizohen promovime librash çdo ditë të Javës së Mitingut.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë mbahet orë e madhe letrare për fëmijë me pjesëmarrjen e Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë mbahet Tribuna Shkencore me kumtesat e studiuesve më të dëshmuar të letërsisë shqipe.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë shpallet konkurs për librin më të mirë të botuar mes dy Mitingjeve.
Në kuadër të Mitingut të Poezisë mbahet Mbrëmja Qendrore Letrare, ku ndahen një sërë çmimesh nga juria profesionale e themeluar enkas për Mbrëmjen Qendrore.
Të gjitha këto aktivitete flasin për një investim të madh shpirtëror, fizik e material; flasin për një traditë letrare që me çdo kusht duhet të vazhdojë ekzistencën. Konsiderojmë se barazimi i Mitingut të Poezisë me secilin aktivitet letrar nuk është i drejtë. Shuma që na është ndarë nga Ministria e Kulturës është larg asaj që duhet të jetë, sidomos kur kemi parasysh një aktivitet të gjerë e me traditë të tillë, prandaj nga ana jonë shihet si një “fundosje” me vetëdije e një traditë mbi gjysmëshekullore të cilës i kemi borxh secili, secili që ka lexuar qoftë edhe një poezi të vetme. E në këtë rast na mbetet t’i themi JO përkrahjes ofenduese. Si Klub Letrar, mund të mos kemi mjete financiare, por kemi dinjitet.
Ndërkohë, ne do ta organizojmë Mitingun e 53-të të Poezisë, me apo pa ndihmën tuaj. Do ta organizojmë në shtator, ashtu siç është bërë në kushtet e rënda të okupimit, ndonëse vështirë të kapërdihet ky fakt në kohën tonë. Gjithsesi, shpresojmë të reflektoni e ta rishikoni vendimin e Departamentit të Kulturës për projektet kulturore-artistike për vitin 2017. Nëse jo, atëherë dhimbjen shpirtërore të të gjithë poetëve që po i kthejmë në të kaluarën e hidhur, mbajeni në ndërgjegjen tuaj. Me respekt, Kryesia e Klubit letrar “Gjon. N. Kazazi”