Komedia e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” është e mbushur me veprim dhe me të papritura, me kthesa të mëdha të subjektit, me batuta, këngë dhe muzikë ndërkohë që motivi në të cilin mbështet ky realizim skenik është një ngatërresës që vjen si pasojë e ngjashmërisë fizike mes dy personazhesh të ndryshme.
Kjo është njëra nga komeditë më të bukura të Uilliam Shekspirit, me plot nuanca romantike dhe situata komike. Përplasja e personazheve karizmatike dhuron një përrallë me plot kthesa që kanë për qëllim përplotsimin e dashurisë. Përmes gjetjes, ngjarja është e vendosur në kontekst me arbëreshët e Italisë, që ka përmbushur aspektin muzikor të shfaqjes. Duhet cekur se kjo është hera e parë që në teatrin e Gjakovës, dyzet vite pas themelimit, vihet në skenë një vepër e Shekspirit. Të gjata kanë qenë duartrokitjet e publikut në sallën e Pallatit të Kulturës Asim Vokshi, ndërsa regjisorja Zana Hoxha Krasniqi, tha se ka qenë e bindur se kjo shfaqje do të punohet për të korrë suksese. Premiera e dëshmoi këtë.
Ne kemi dashtë me këtë shfaqje me e inspiru publikun gjakovar. Në të njëjtën kohë është një homazh për gjithë artin që Gjakova i ka dhënë Kosovës. Për mua ka qenë e rëndësishme që, këtë nivel që ky teatër i ka dhënë teatrit kosovar ta kthej me këtë shfaqje, t’ia jap një dhuratë Teatrit të Gjakovës. Kjo është shfaqja më e madhe që kam bërë deri tani dhe për mua ka qenë e rëndësishme që unë të punoj Shekspirin në Teatrin e Gjakovës dhe të jam mirënjohëse për gjithë kulturën, gjithë brezat që kanë dhënë dhe kanë kontribuar.
Bartësi i rolit kryesor, aktori nga Prishtina, Valmir Krasniqi, tha se e gjithë trupa ka punuar shumë për ta nxjerrë një shfaqje të Shekspirit sa më të kapshme për publikun…..(shkrimi plotë në Revisten Gjakovapress 131)