Saturday, March 23, 2024
Gjakova PresssIntervista

Sienna një zë i ri plot ngjyra dhe ëmbëlsi

Intervista : Flora Gashi- Sienna, soliste

 

I kanë mjaftuar tri projekte për të bërë “boom” në skenën shqiptare të muzikës së popullarizuar. Ndoshta as vet nuk e ka pritur një sukses të tillë . Ajo është mirëpritur nëpër shumë studio për të shpalosur krijimtarinë e saj. Është e re në moshë por deri më tani ka arritur të ketë shumë adhurues të muzikës së popullarizuar.  Me zërin e saj të ëmbël e plot ngjyra  Flora Gashi vazhdon me befasi. Përndryshe emri artistik i Flora Gashit është SIENNA. Ajo talentin e saj fillimisht e shfaqi në emisionin “Sllovenia ka talent” ku arriti deri në gjysmë finale. Kënga e parë nga Sienna mban titullin “Mos më prit”. E bukur, e talentuar e me shumë vullnet për punë, kjo pikërisht e bën Siennen artisten e re më të mirë në treg e cila këto ditë ka sjellë edhe një super hit “Du me dalë” që po dëgjohet si hit nëpër emisionet muzikore në radio e televizion. Sienna ka sjellur projektin e saj të tretë me rradhë e njëherit dhe atë më profesionist deri më tani. Gjithë projektin e saj e ka udhëhequr menaxheri i industrisë së muzikës shqiptare Labinot Nuraj ndërkohë që për tekstin dhe muzikën është kujdesur Nurteel. Një mbështetje shumë të madhe këngëtarja ka edhe nga babai i saj Bekim Gashi i cili është dhe një biznesmen shumë i suksesshëm atje. Videoklipi me titull ‘Du me dal’ e ka realizuar VSM ndërsa është publikuar nga platforma më e madhe në youtube ArkivaShqip.

Ja intervista që bëmë me te:

Sienna emër artistik prej nga të ka lindi kjo ide?

Po në fakt Flora do me thënë lule,  edhe Sienna është ngjyrë e kuqe,  por është edhe një vend në Itali që quhet Siena.  Flora është lule dhe ngjyra e kuqe më pëlqen mua shumë. Edhe kështu këto dy gjëra i kam lidhë mes vete.

 Jeton dhe vepron në Slloveni ?

Po, në Slloveni jetojmë në qytetin Ilirska Bistrica. Jemi familjarisht aty. Prindërit  kanë shkuar shumë përpara atje. Unë , në fakt jam e treta gjeneratë,  jam e lindur dhe e rritur atje.

Kush të tha fillimisht  se keni zë të mirë dhe si u përcaktuat për tu marrë me muzikën?

Në fakt në fillim, kishte filluar  vëllai Floriani të merret me muzikë. Duhet ta falënderoj tepër shumë sepse më ka ndenjur gjithmonë afër vetit. Ai ia ka nis pastaj fillova edhe unë duke kënduar me të. Fillimisht  babi më ka treguar se po këndoj mirë, pastaj  edhe familja, shoqëria dhe kështu vazhdova.

Cili ishte suksesi në spektaklin  “ Sllovenia ka talent” ?

Po, kam qenë e vetmja shqiptare që kam kënduar shqip dhe ju ka pëlqyer në ekstrem shumë.  Kam arrit deri në gjysmë finale, dhe ky ishte një sukses i madh për mua. Ky manifestim më ka nxitur pastaj që unë të merrem  seriozisht me muzikë. Si të thuash ky ishte momenti i pranimit të  vlerave të mia për muzikën. Ky sukses  më ka dërguar më lartë.

Me çfarë kënge je prezantuar para jurisë Sllovenia ka talent ?

Jam prezantuar me një  këngë shqip.

Çfarë kanë thënë  juria , si ishin vlerësimet?

Po, kanë qenë të mira . Ju ka pëlqyer shumë, zëri, kënga .. Edhe gjuha shqipe ju pëlqen shumë. Kanë qejf me ditë sa më tepër për  gjuhën tonë.

Këndoni këngë edhe në gjuhën sllovene?

Po, kam këngë,  shkruaj edhe tekste vet në gjuhën shqipe, angleze, sllovene,  të gjitha. Nuk ka asnjë problem.

Dëgjova se i njihni shumë gjuhë?

Dashurinë për gjuhët e botës i kam pasur gjithmonë. Aktualisht 5 apo 6 gjuhë i njoh pa problem dhe komunikoi shumë mirë.

Dhe gjuhën shqipe, gjuhën tënde nuk e harron kurrë edhe pse je e rrethuar atje me shoqëri sllovene apo jo?

Jo, nuk e harroj . Për këtë duhet ti falënderoj prindërit,  sepse mos të kishin qenë ata,  mos të më kishin mësuar ata,  unë nuk e kisha ditë duke lindur dhe jetuar në në vend tjetër.

 Si të kanë pranuar rrethi slloven,  të rinjtë atje?

Më kanë pranuar mirë, janë njerëz jashtëzakonisht të mirë. Unë jam falënderuese.

Dhe a janë gëzuar edhe shoqet e shokët tuaj për suksesin që ke arritur në gjysmë finale atje ?

Po, kanë dëshirë të dinë sa ma shumë për aktivitetin tim dhe rrugëtimin tim me  muzikën. Ju pëlqen shumë këndimi im. Kam përkrahje prej tyre.

Tashmë keni përfunduar shkollimin e mesëm për çfarë keni mësuar ?

Për muzikë. Pas sukseseve të para tash jam përkushtuar tërësisht në muzikë

Dhe kjo të paska nxit akoma më tepër me u marrë me muzikën edhe më profesionalisht. Cila është kënga e parë që Sienna e ka realizuar?  

Kënga e parë është “Mos më prit”  e realizuar në Slloveni,  në Ljubljanë,  në kryeqytet,  me video,  me të gjitha . Ka dalë një realizim i mirë.

Videoklipi i fundit  Du me dal është bërër shpejt hit. Ku e keni punuar?

Së pari duhet të falënderoj menaxherin Labinot Nuraj. Falë ti  ka shkuar projekti shumë mirë. Teksti është shkruar nga Nurteli, instrumentali dhe të gjitha nga Nurteli, videoklipi është bërë me VSM edhe është prit deri tash mjaft mirë.

Sienna  dhe lidhja mes Sllovenisë dhe Gjakovës?

Po, vijmë shpesh 2-3 herë në vjet në shtëpinë tonë në Gjakovë, në mëhallen e Gërçarve. Sa herë vi këtu ndjehem e lumtur

Çka ka në plan tani Sienna pas promovimit të këtij vidoprojekti më të fundit “Du me dal?   

Plani im është të arrij sa më shumë në muzikë edhe ndoshta tani vjen edhe ndonjë projekt tjetër, ndoshta ndonjë bashkëpunim surprizë.

A mundë të  presim verën e ardhshme edhe në qytetin tonë këtu në Gjakovë me një koncert Sienna?

Po, normal me gjithë dëshirë. Në fakt kjo është dëshira ime më e madhe. (Revista Gjakovapress Nr.119)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *