Silvana Domi- Zhvillim ekonomik duke krijuar klimë të favorshme për investitorët
Komuna e Gjakovës, dikur e njohur për një industri të zhvilluar me një numër të madh të fabrikave dhe të punësuarve ka shumë vite që po përpëlitet me vështirësitë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Goditja e rëndë ekonomike në kohën e pushtetit okupues serb me largimin e punëtorëve shqiptarë dhe shkatërrimin ekonomik, pastaj procesi I ngadalshëm I definimit të statusit të Ndërmarrjeve Shoqërore nga ana e AKP_së, privatizimi dhe ecuritë tjera të pavaforshme për komunën e Gjakovës, bënë që gjendja të rëndohet nga viti në vit.
Të ballafaquar me këtë gjendje të rëndë ekonomike, në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik të komunës së Gjakovës thonë se forcimi I kapaciteteve ekonomike me qëllim të përmirësimit të së ardhmes ekonomike dhe kualitetit të jetës është detyrë parësore.
Silvana Domi, drejtoreshë e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik thekson: ‘Kjo bëhet me punën e përbashkët të sektorit publik, të bizneseve dhe partneritetit të sektorit joqeveritar dmth. të të gjithë akterëve për të krijuar kushte për rritjen ekonomike dhe të punësimit. I kemi përcaktuar edhe objektivat kryesore ku do të mbështetemi- Të sigurojmë një klimë të mirë investive dhe të përshtatshme për të gjitha bizneset të mesme dhe të vogla fillimisht e pastaj edhe të Ndërmarrjeve të mëdha. Të përkrahim formimin e ndërmarrjeve të reja. Të tërheqim investimet e huaja . këtë do ta bëjmë me të gjithë parametrat që kemi por edhe me Zyrën për promovimin e investimeve të huaja. Jemi në proces të hapjes së kësaj zyre’, tha Domi
Silvana Domi thotë se arritjet në ekonominë gjakovare bëhen me një punë të përbashkët dhe se me sigurimin e klimës së mirë investive, për të gjitha bizneset, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mundësohet që në Gjakovë të tërhiqen investimet e huaja.
Në pyetjen tonë se aktualisht a ka investitor të interesuar, Silvana Domi thekson: ‘Kohëve të fundit pareshtur ka të interesuar të investitorëve të huaj për të marrë të dhëna për infrastrukturën fizike dhe mundësitë tona që I ofrojmë. Është e vërtetë se kemi pas vizita edhe nga Pakistani në dy ish gjigantët ekonomik të Gjakovës, ‘Metalik’ dhe ‘Jatex’ ku janë vizituar repartet dhe është diskutuar për resurset ekzistuese’. Domi është e bindur se me mbështetjen e kryetares së komunës Mimoza Kusari Lila kjo drejtori do të shënojë rezultate të pritura.
Ndryshe Silvana Domi, drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik rreth 11 vite ka punuar në Institucionin Mikrofinanciar KEP Trust në pozitë të Menagjeres së Degës në Gjakovës si dhe ka udhëhequr departamentin e Kërkimeve dhe Zhvillimit të Produkteve në Zyrën Qendrore të KEP Trust në Prishtinë.
Silvana Domi, pas mbarimit të studimeve të larta, rreth dy vite ka udhëheq sektorin e Planit dhe të Analizave në Organizatën Punuese “Metaliku” në Gjakovë, ku në vitin 1982 punësohet ne Prishtinë në ish-Bankën Popullore të Kosovës, tani Banka Qendrore e Kosovës si Analiste e Lartë e Kursit të Dinarit dhe të Devizave. Menjëherë pas luftës, Silvana Domi rikthehet në këtë institucion atëherë të quajtur Autoriteti Bankar i Pagesave si Koordinatore e Bilancit të Pagesave. Dy vite më vonë, ajo kalon me familje në Gjakovë dhe fillimisht shërben si zëvendëse koordinatore e programit financiar të OJQ CORDAID dhe një vit më pas inkuadrohet në Institucionin mikrofinanciar KEP Trust si Menaxhere e Degës së Gjakovës që është Dega më e madhe e këtij institucioni në Kosove.
Studimet e larta, Silvana Domi i kreu në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik ku diplomoi në Kërkimet Operacionale Matematikore.
Ka magjistruar në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e Bankave dhe Financave ka qenë pjesëmarrëse në disa Konferenca Vjetore të organizuara nga Qendra e Microfinancave në Varshavë dhe trajnime në fushën e saj profesionale brenda dhe jashtë Kosovës kryesisht në kuadër të Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës, AMIK. Ka qenë edhe pjesëmarrëse e grupit të grave në programin Hopefelloëship, të organizuar nga Këshilli Kombëtar Amerikano Shqiptar (NAAC), në vitin 2001.(gjakovapress.info)