Spektakël sportiv në Gjakovë: Kosova- Lituania 26:30
Rrugëtimi i përfaqësueses së Kosovës në hendboll për kualifikimet e kampionatit Botëror Franca 2017, ka nisë të mërkurën në mbrëmje në pallatin e sporteve Shani Nushi në një atmosferë të rrallë para mbi 2 mijë adhuruesve të hendbollit.
Anipse Kosova është mposhtur nga Lituania me rezultat 30:26, la përshtypje të mirë për angazhimin dhe dëshirën për fitore. Posaçërisht hendbollistët e Kosovës shkëlqyen në 10-15 minutat e parë të pjesëlojës së parë kur arritën avantazhin në 6 me 4, dhe në pjesëlojën e dytë kur gati e përmbysen epërsinë e lartë të 30minutave të parë, 8:15.
Dallimi në mes të dy skuadrave u bë në pjesën e parë, pasi Lituania me hendbollist shtatëgjatë dhe përvojë më të madhe në garat ndërkombëtare, e përmbylli me avantazh prej 7 pikëve. Kosova u mundua të kthehet në lojë në pjesën e dytë, ku iu ofrua deri në 3 pikë, por kjo ishte e gjitha, pasi në fund u mposhtën 30:26.
Te Kosova hendbollisti më i dalluar ishte Florim Hoxha me 6 gola, i ndjekur nga Valon Dedaj dhe Kastriot Jupa me nga 4 gola. Te Lituania më efikasi ishte povilas Babarskas. Ndeshjen e referuan dyshja nga Çekia, Milan Hajek dh Karel Macho ndërsa delegat i EHF në këtë takim ishte malazezi Predrag Pavieviç.
Në grup me Kosovën për kualifikimet në kampionatin Botëror është edhe Sllovakia dhe Bosnja e Hercegovina.