Tahiri në hapje të fushates-Drejtesi për gratë e dhunuara
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri te henen ka qëndruar në Gjakovë, me q’rast marrë pjesë në hapjen e fushatës për nënshkrimin e peticionit në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Në një konferencë për media Tahiri, ka thënë se qëllimi i nënshkrimit të këtij peticioni është që fillimisht OKB-ja të hartoj një raport për të gjitha ndodhitë e gjenocidit në Kosovë, gjatë luftës së fundit dhe pas saj e pas krijimit të një gjykate për krimet serbe, kryesit e gjenocidit të nxirren para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.
Mbështetje për fushatën ka dhënë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka shtuar se për sa ditë që do të jetë e hapur kjo fushatë, komuna do të jetë e mobilizuar dhe në shërbim të saj. Ndryshe, Peticioni në kërkim të drejtësisë ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, qe ka filluar të nënshkruhet sot, do të zgjasë deri të premten derisa qytetarët mund ta nënshkruajnë atë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në ora 20.00 të mbrëmjes, në dy lokacione: ne parkun qendror dhe në Çarshi të vjetër, afër hotelit “Çarshia e Jupave”.
Ndryshe, edhe disa nga qytetarët që e kanë nënshkruar sot ktë peticion, kanë thënë se dhunimi i femrave shqiptare gjatë periudhës së luftës është pjesa më e dhimbshme e historisë së rëndë të Kosovës, andaj është mirë që kjo nismë të ketë jehonë sa më të madhe, në mënyrë që të gjithë ata që kanë kryer vepra të tilla, të dalin para drejtësisë.