Tuesday, November 5, 2024
AktualeLajme

“Taxi”çikleta në Gjakovë

Nëse iu ka zënë malli për të parë Gjakovën nga çikleta dhe ju mungon ajo(çikleta) , nga  12 gushti  keni mundësi që ta merrni me qera  dhe të bëni xhiro nëpër mjediset atraktive të qytetit. Këtë e mundëson  projekti i tre të rinjve gjakovarë, i quajtur “City Bikes” që është përkrahur nga disa organizata ndërkombëtare.

City BikesPërmes iniciativës së tyre, Natyra Xharavina, Jon Dujaka dhe Dardan Kaqi synojnë që të tërheqin vizitorë në Gjakovë dhe në të njëjtën kohë të ruajnë dhe ambientin. Ideja e tyre ka të bëjë me dhënien me qera të biçikletave dhe organizimin e shëtitjeve me to.

“Çiklizmi është mënyra më e mirë për të eksploruar bukuritë e ndryshme që i ka Gjakova dhe në të njëjtën kohë, të promovosh ruajtjen e ambietit dhe shëndetit më të mirë fizik. Prandaj ne kemi menduar që t’u ofrojmë të gjithë të interesuarve për të vizituar bukuritë e Gjakovës biçikleta të cilat mund t’i shfrytëzojnë për një kohë të caktuar”, është shprehur Natyra Xharavina.

Ata do të startojnë me shtatë biçikleta të cilat janë sjellë nga jashtë, ndërsa do të vendosen në Çarshi të Vogël, përballë Xhamisë se Mahmut Pashes. Çmimi për një orë të shfrytëzuar do të jetë 0.50 cent kurse për tërë diten kushton 3 euro. Kushdo që të marrë biçikletë duhet që të lërë ‘peng’ letërnjoftimin, ndërsa për çdo dëmtim duhet ta kompensojë.

“Ne do të kemi në dispozicion pesë ciceron të cilët mund t’i drejtojnë të interesuarit nëpër vendet me interesante në qytetin tonë. Ciceronet janë të trajnuar për punën që do të kryejnë. Ne kemi hapur një faqe në “facebook” ku kemi paraqitur çdo gjë rreth këtij projekti dhe të interesuarit do të furnizohen me informacione të bollshme rreth vazhdimësisë së projektit në fjalë”, tha Jon Dujaka.

Data e fillimit të zbatimit të këtij projekti nuk është rastësore. Ata kanë zgjedhur Diten Ndërkombëtare të Rinisë, 12 gushtin për të treguar, sipas tyre, se rinia gjakovare është aktive. Projekti është përkrahur nga “Innovations Lab Kosovo”, “Unicef”, “Pen”, “Austrian Development Coorperation” dhe “Europian Union”- zyra në Kosovë.

“Projekti do te vazhdojë për tre muaj, nëse realizimi do të jetë i suksesshëm, kjo do të vazhdojë edhe vitin tjetër. Shpresojmë që kjo iniciativë të përkrahet sa më shumë nga qytetarët e Gjakovës”, u shpreh për fund, Dardan Kaqi.