Monday, December 30, 2024
AktualeKulturëLajme

Të premten premiera e mjuziklit origjinal ”Arjeta & Gëzimi”

Të premten (19.04.2013) në ora 19:00 do të shfaqet premiera e mjuziklit original “ Arjeta & Gëzimi “  A Jorney of Love”,  në sallën koncertale të Shkollës së mesme dhe të Ulët të muzikës “ Prenk Jakova “ në Gjakovë.

Sipas Astrit Pallaskës,   drejtor i  shkollës së muzikës, kjo shfaqje muzikore do të jetë edhe një ndër evenimentet gjigande që kjo shkollë ka krijuar këto viteve të fundit.

“E themi këtë duke pas parasysh impenjimin e jashtëzakonshëm që kemi kaluar për të mbërri këtu ku jemi. Është një numër shumë i madh i njerëzve të angazhuar për të realizuar këtë projekt duke filluar nga nxënësit e shkollës së
muzikës por edhe të shkollave tjera që janë përzgjedhur me audicione të veçanta profesorët e kësaj shkolle pastaj autorët, aktorët, pastaj përgjegjësit për skenografi, ndriçim, koreografja,  organizatorët si dhe producentët e kësaj ndërmarrje që numëron mbi 70 vetë e që për publikun gjakovar janë të mirënjohur duke pas parasysh këtu aktivitetet që kanë ndihmuar të zhvillohen në shkollën e muzikës e ata janë miqtë e kësaj shkolle sikurse preferojnë ti quajnë kështu nxënësit dhe profesorët Georg dhe Dorothea Fankhauser Ritter” theksoi Pallaska.

 Në këtë aktivitet shkollor janë të involvuar Kori dhe Orkestra e shkollës si dhe Solistët që janë nxënësit, profesorët si dhe profesionist të fushave përkatëse.

 Është një shfaqje që për autorë ka kompozitorin Trimor Dhomi si dhe skenaristin Ilir Gjocaj,  të cilët kanë krijuar i pari muzikë shumë origjinale dhe me motive të jashtëzakonshme etnike si dhe një skenar që është i ditëve të sotme që paraqet realitetin tonë dhe me një zhvillimi dramaturgjik shumë logjik dhe me fines.

Në regji është i njëjti regjisor i cili ka punuar edhe mjuzikllin e parë të vendosur në skenën gjakovare “ Oliveri Kosovar” pra është fjala për regjisorin nga Zvicra Georg Darvas i cili me po të njëjtin pasion vazhdoj të përqendrohet dhe punoj me nxënësit e kësaj shkolle. Ky mjuzikëll është origjinal e kur e themi kështu nënkupton që për herë të parë po vehet në skenën tonë dhe se është krijuar enkas për ne. Kjo gjithashtu bënë që ky mjuzikël të jetë i pari në mbarë skenën shqiptare që është krijuar dhe ku çdo gjë interpretohet në live pra në kohë reale dhe nuk është inskenim sikurse kemi patur “ Oliveri Kosovar “ ku veçse ka ekzistuar më parë dhe ne e kemi përshtatur për interpretimin tonë. Pra me këtë moment po fillon edhe historia e mjuziklit Shqiptar-Kosovar si gjini muzikore komplet e pa përpunuar deri më tani dhe kemi nderin që atë ta fillojmë në shkollën dhe qytetin tonë.

Gjithashtu kemi prenotuar edhe performancat në Prishtinë me datën 20.04, në Prizren me datën 22.04, në Pejë me datën 24.04. Dhe që nga tani kemi ftesën zyrtare për ta përfaqësuar kombin tonë në një festival në Zvicër ku do ta marrin pjesë të gjithë kombet e ish-Jugosllavisë.