Teatri “Hadi Shehu” merr tri çmime në Festivalin ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë
Trupa e Teatrit “Hadi Shehu” ka marrë edhe një çmim të rëndësishëm në veprimtarinë e vet skenike, pasi me sukses u prezantua në festivalin Ndërkombëtarë të Teatrove “Prishtina International Theater Festival”. Teatri i Gjakovës në këtë festival u paraqiten me projektin e fundit të saj, “Alo Alo” me regji të Ilir Bokshit dhe kjo ishte shfaqja më e mirë e festivalit..
Në ceremoninë përmbyllëse të këtij Festivali që u mbajt të mërkurën në mbrëmje, për lojën e mirë të aktorëve profesionist gjakovar, Teatri Gjakovës, në konkurrencën e teatrove nga Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, mori tri çmime. “Alo-Alo” u shpall Shfaqja më e mirë, pastaj u vlerësua Shfaqja më e mirë-çmimi i medias, ndërsa aktori më i mirë në rol dytësor u shpall Valmir Krasniqi për lojën në komedinë “Alo-alo”.
Edi Kastrati, drejtori i Teatrit të Gjakovës pasi mori çmimin, tha se ky vlerësim nderon punën përkushtuese që po bëhet në këtë shtëpi teatrore.
“Këto çmime do të na inkurajojnë për punë akoma më të madhe”, tha Kastrati.
“Alo-Alo” u dha premierë më 27 Nëntor në Gjakovë dhe u reprizua në Prishtinë në Teatrin Kombëtar. Është një komedi multidiciplinare e cila sjellë plotë humor dhe të papritura nga loja e aktorëve: Bujar Ahmeti, Albulena Kryeziu-Bokshi, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Vlera Pylla, Yllka Lota, Vlora Dervishi, Valmir Krasniqi, Altina Kusari, Edmond Uka, Arbies Komoni, Valon Pallaska dhe Ylber Mehmeti. Asistente e regjisë ishte Myrvete Kurtishi, skenografinë e ka përgatitur Petrit Bakalli, Kostumografinë Alma Krasniqi, Muzikën Art Lokaj, ndërkaq koreografinë Robert Nuha.