Site icon Gjakovapress

Teatri i Gjakovës nis sezonin teatral

Komedia “Revolveri” e autorit Gorgey Gabor do të jetë nisma e stinorit teatral apo e përgatitjes së premierës së parë të Teatrit Profesionist të Gjakovës, ku tashmë janë përcaktuar realizuesit dhe provat veç kanë nisur. Kjo komedi është bërë me përzgjedhjen e Zana Hoxha Krasniqi, drejtore artistike të kësaj trupe dhe për regji është përcaktuar që për herë të parë të bëjë inskenim me këtë teatër regjisorja Burbuqe Berisha.

Pesë aktorët të cilët në fillim të muajit maj do të paraqiten para publikut janë Hysen Binaku, Myrvete Kurtishi, Arben Lleshi, Edmond Hafizademi dhe Valon Pallaska. Drejtori i teatrit gjakovar, Edi Kastrati ka pohuar se për inskenimin e kësaj shfaqjeje kanë kontribuar Ministria e Kulturës me një pjesë të mjeteve ndërsa shumën më të lartë të mjeteve do ta investojë Drejtoria e Kulturës e Komunës.

“Mendoj se kemi bërë përzgjedhjen e duhur dhe presim një shfaqje padyshim të pëlqyeshme pasi mendojmë se është një trupë mirë e përzgjedhur ashtu sikurse kemi besimin e plotë tek regjisorja Burbuqe Berisha, e cila tashmë veç është e dëshmuar dhe është ambientuar me këtë trupë” ka pohuar drejtori Edi Kastrati i cili në fokusim ka vënë edhe çështjen e ligjit për teatrin ku ka shprehur optimizmin e tij se do të ketë ndryshime në favor të teatrove edhe të qendrave tjera të Kosovës, e këtë shpresë e shpreh edhe në saje të premtimeve të dhëna, siç pohoi Kastrati, nga vet ministri Memli Krasniqi.
Drejtori i trupës teatrale gjakovare ka thënë se për stinorin pranveror janë përcaktuar të përgatiten dy premiera ndërsa për në vjeshtë pohon se patjetër do inskenohet edhe një tjetër.

 

Exit mobile version