Teatri i Gjakovës pas 7 muajve një premierë!
Teatri Profesionistë I Gjakovës,dikur I njohur për shfaqje të njëpasnjëshme cilësore që linin gjumrë në skenën shqiptare e që sëpaku me katër shfaqje teatrore e mbyllte vitin, sot po përballet me vështirësi financiare. Pas shtatë muajve ka në plan të nisë përgatitjet për premierën e re. Në fakt gjatë muajit shkurt planifikohet të fillojnë provat për inskenimin e komedisë me titull “Budallenjtë’ me regjisorin Agon Myftari,edhepse ende nuk ka marrë përgjigje financiare as nga komuna e as nga Ministria e Kulturës.
Edi Kastrati drejtor I Teatrit të Gjakovës ka thënë se të gatshme I ka nëntë projekte për të cilat pret mbështetje financiare për këtë vit. Gjashtë prej tyre i ka dorëzuar në Kuvendin Komunal të Gjakovës, e tri të tjera në Ministrinë e Kulturës.
“Jemi të vetëdijshëm që të gjitha projektet e dorëzuara nuk do të gjejnë përkrahje, por të paktën shpresojmë se do të realizojnë më shumë shfaqj se sa vitin e kaluar”, theksoi kastrati.
Vitin e kaluar Teatri i Gjakovës ka realizuar vetëm dy premiera. “Mbretëresha e bukur nga Lenani”, një komedi e autorit irlandez Martin Mc Donagh, regjinë e së cilës e kishte bërë Ilir Bokshi, si dhe “Kuzhina e viktimave”, një dramë me tekst të Ilir Gjocaj, regjinë për të cilën e kishte bërë Zana Radogoshi. Mirëpo që nga qershori, kur është dhënë kjo e fundit, në këtë teatër nuk është realizuar premier tjetër.
Drejtori, Kastrati, thotë se nuk e ka ndërmend që të presë përgjigjën për përkrahje, derisa gjatë muajit të ardhshëm do të nisë me provat për shfaqjen e parë të këtij viti.
“Realisht në shkurt do të nisim provat. Mendoj se sivjet duhet të startojmë me regjisorin Agon Myftari me një komedi që titullohet ‘Budallenjtë’”, ka thënë Kastrati.
Por se sa shfaqje do të arrijë të realizojë këtë vit Teatri i Gjakovës varet nga përkrahja financiare që do të marrë ky institucion. Vitin e kaluar Teatri ishte varur nga kuleta e Komunës së Gjakovës. Me 5 mijë euro e kishte mbështetur edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
“Komuna ka vullnet të mirë për të përkrahur teatrin. Disa projekte i kemi dorëzuar edhe në disa banka. Shpresojmë për përgjigje pozitive”, ka thënë Kastrati.