Friday, March 22, 2024
Kulturë

Teuta Hadri “Leksikoni i grave i Lëvizjes Ilegale për Çlirim”

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë është përuruar libri “Leksikoni i grave të Lëvizjes Ilegale për Çlirim”, i autores Teuta Hadri, në të cilin janë paraqitur biografitë e mbi 100 grave që punuan dhe u angazhuan në lëvizje të ndryshme kombëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, ka transmetuar “Kosovapress”.

teuta hadriNga të pranishmit, “Leksikoni i grave i Lëvizjes Ilegale për Çlirim” është vlerësuar ndër projektet më të mira dhe më të përmbledhura të botuara për gruan shqiptare dhe fatin e saj në gjysmën e dytë të shekullit 20.
Simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, e ka çmuar lart librin që pasqyron shumicën e grave që dhanë kontribut në çlirimin nga pushtuesi serb, mirëpo ka deklaruar se burrat dhe shoqëria shqiptare u kanë borxh shumë këtyre grave që flijuan rininë dhe jetën e tyre për ta gëzuar sot lirinë. “Ne nuk mund t’u dalim borxh grave, motrave dhe nënave tona kurrë. Këtë le të dijë çdo shqiptar. Për Poloninë është thënë shumë herë që nëna poloneze shpëtoi popullin polak nga gjermanizimi dhe ja ku është Polonia sot. E askënd nuk e dëgjova se popullin shqiptar e shpëtoi nëna shqiptare, por secili, por secila parti po thotë se e shpëtova unë. Kështu që, duhet t’i bëjmë disa korrigjime. Unë ju thërras t’ia bëjmë sikurse polakët, kur të takohemi me gratë dhe vajzat t’ua puthim dorën dhe të tregojmë se jemi kandidatë për Evropë, sepse me pallavra atje nuk shkohet”, ka thënë ai.
Autorja e librit, veprimtaria e shquar Teuta Hadri, ka potencuar se frymëzimin për këtë libër e gjeti pikërisht në burg, pasi aty hasi në vuajtjet e gruas shqiptare. “Ajo që më ka shtyrë të shkruaj këtë libër ka qenë burgosja ime në burgun e Mitrovicës, që nga ato ditë të kobshme të jetës sonë rinore që i humbëm në ato kazamate dhe mure të betonta, ku burgjet ishin të mbushura me nxënëse, studente, vajza, nëna dhe gra shqiptare që i kishin lënë fëmijët e tyre në shtëpi dhe ishin nisur rrugës së lirisë dhe qëndronin në burgje ku u maltretonin nga forcat dhe agjentat e sigurimit serbo-sllav”, ka theksuar ajo.