Monday, December 30, 2024
Gjakova PresssKulturë

Tingujt e Muzikës Korçare në Gjakovë

Intervistë me këngëtarët  Lorenc dhe Olja Shagla

Gjithë ata adhurues që e donë muzikën Korçare  tash e dy vjet po kanë mundësi që fundjavave të shkojnë  tek Çarshia e Jupave për të kaluar çaste të bukura me interpretuesit e shkëlqyer  Lorenc dhe Olja Shagla. Të dy këta krijues tashmë e ndjejnë Gjakovën si qytetin e tyre, ndërsa kanë fjalë të mira për  adhuruesit e muzikës që e dinë se cila është muzika e mirëfilltë shqipe. Shpesh këndojnë bashkë në mbrëmjet argëtuese. Shfrytëzuam rastin për një bisedë të shkurtër.

Tani jeni bërë bashkëvendës tanë sepse një kohë të gjatë jeni në mbrëmjet muzikore ?

Olja: Normalisht po. Është viti i dytë që punojmë dhe është kënaqësi që jemi në Gjakovë. Ky qytet  ka shumë gjëra të përbashkëta  me Korçën, me vendlindjen tonë,  qoftë nga tradita, qoftë nga kultura që kanë për muzikën e mirëfilltë shqiptare. Besoj që janë shumë të ngjashëm dhe kjo është vërtetuar edhe në mbrëmjet që ne kalojmë,  jo vetëm në fundjavë,  duke filluar nga e enjtja,  e premtja e shtuna.

 Po Lorenci si po kalon në Gjakovë mes adhuruesve të muzikës?

Është vërtetë kënaqësi të jesh mysafir në Gjakovën e kulturës.  Unë më parë dua të dërgoj një falënderim shumë të madh për drejtorin e Çarshisë së Jupave z. Shkëlqim Jupa i cili na krijoi mundësinë dhe jo vetëm që na krijoi atë  por na ka bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë.

Me muzikën që ju e kultivoni kur  ka filluar  rrugëtimi ?

Olja: Fillimisht  kemi shkuar si emigrant. Pas mbarimit të shkollave dhe me ndryshimin e sistemit në Shqipëri kaluam në Greqi . Atje vazhduam me punë, me përpjekje si çdo emigrant  kur shkon në vendet e huaja. Arritëm. Burri im  jo vetëm që ka mbaruar shkollën e muzikës por ishte edhe pasioni i tij shumë i madh që të punoi në mbajtjen e mbrëmjeve muzikore. Pra Lorenci ishte ai  që krijoi mundësinë që ne në Greqi të bënim edhe lokalin tonë, të krijonim një restorant me muzikë ku kishte argëtim edhe për grek edhe për shqiptarë dhe në këtë rrymë u futa edhe unë që nuk kisha lidhje fare me muziken! Duhet them se  kam mbaruar mjekësi të përgjithshme në Fakultetin,  dega mjekësi e përgjithshme por duke njohur dëshirën, pasionin u futëm të dy punuam shumë dhe besoj që arritëm një sukses të madh në vend të huaj,  duke krijuar,  një si ta them,  një vend të ngrohtë, një ambient të ngrohtë për emigrant dhe grek  sa  jetonim ne atje.

Keni një repertor të gjerë të këngëve që ju këndoni. Janë korçare apo keni edhe repertorin e gjerë ?

Kemi repertor të gjerë,  besoj,  megjithëse kënga nuk ka kufi. Jemi të përqendruar në muzikën e lehtë korçare, shkodrane, përpiqemi edhe për muzika tjera, psh. Këngë nga  Shqipëri e mesme, jugu e tj.

Pse thonë që muzika korçare është e këndshme?

Lorenci: Muzika korçare është unike, e këndshme dhe atraktive. Korça quhet qytet i serenatave . Këngët kanë një ritëm dhe harmoni shumë të bukur. Pothuaj çdo shtëpi në Korçë e ka një kitarë akustike. Mendoj se është një muzikë qytetare puro e mirëfilltë.

Secili mund të lëvdoj qytetin e tij por vërtet është për tu admiruar.  Korça e ka traditë,  e ka pasion dhe ne atë që vumë re është e njëjta gjë edhe në Gjakovë. Ka një ngjashmëri shumë të madhe.

 Gjatë përvojës dy vjeçare që jeni këtu keni pasur komunikime me adhuruesit që vijnë aty. Çfarë përvoje keni ju në këtë aspekt?

Olja: Unë dua të them në radhë të parë që personalisht ndjehem shumë e përkëdhelur,  do ta quaja,  për faktin,  në radhë të parë që na u dha mundësia të vijmë në Gjakovë . E  ndjejmë veten me fat sepse Gjakova është djepi,  besoj i muzikës,  i traditës,  që ka të njëjtën ngjashmëri me Korçën. E dyta ndjehem me fat që këndojmë në një vend siç është Çarshia e Jupave,  që është vërtet për tu admiruar,  qoftë me të gjithë stafin. Në radhë të parë një falënderim të veçantë për z. Shkëlqim Jupa bashkë me familjen e tij,  për gjithë personelin, stafin që është një staf mund të them,  kam shkuar në plot vende,  staf të tillë nuk kam vërejtur. Pastaj e ndjej veten me fat dhe e përkëdhelur për faktin që muzika që ne luajmë,  që kjo tregohet në vlerësimin që bëjnë njerëzit,  u pëlqye. Është vend i përshtatshëm, janë njerëzit e këndshëm  dhe adhuruese të muzikës. Kjo tregon që Gjakova është  djep i kulturës.  Gjakova ashtu si Korça, janë qytete të muzikës. Personalisht falënderoi nga zemra,  jo vetëm stafin, drejtuesin e Çarshisë së Jupave por për të gjithë klientët që ne na mbështetën. Kjo shifet qartë, duke na vlerësuar mirë  ne vazhdojmë  për  dy vite  në Gjakovë. Kjo tregon një pëlqim të njerëzve që vijnë në mbrëmjet tona. Vet puna ka treguar suksesin  tonë, normal por është edhe fakti  që ka shumë adhurues që i donë këngët tona . Jo vetëm se çdo kush mund të jetë adhurues i muzikës, dashamirës,  por që të njoh muzikën është pak e vështirë. Këtë e bëjnë në Gjakovë.

 A ju ka ndodhë që gjatë këndimit të këndojnë edhe mysafirët?

Lorenci: Po,  dhe është kënaqësia më e madhe që kemi marrë. Mendimi im që është arritja e një muzikanti, apo  ajo është gjëja më e mirë,  kur vlerësohesh dhe këndon gjithë publiku. Kjo është kënaqësi. Kemi pasur kontakte gjithandej, edhe në Pejë, Prishtinë dhe në Prizren gjithandej. Kanë qenë mbrëmje  shumë të mira por si në Gjakovë jo. Ky qytet, që tashmë na është bërë shumë i dashur, ka shumë të veçanta.              Gjakovapress Nr.112

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *