Friday, March 29, 2024
Gjakova PresssKulturë

Toponimet e komunës së Gjakovës

Shkruan: Agim Jaka

TOPONOMIA E GJAKOVËS ME RRETHINË Libri IPër ata që nuk u ka rënë rasti të dëgjojnë fjalën “toponimia” dhe fjalën që rrjedh prej saj, “toponim”, po japim që në fillim shpjegimin. Kjo fjalë e huaj sipas FGJSSh do të thotë “tërësia e emrave të vendeve (të krahinave, të qyteteve, të fshatrave, të lumenjve, të përrenjve, të maleve, të deteve, të liqeneve, të arave etj.). Ky term në literaturë dhe në gjuhën e shkencës aty-këtu mund të haset i përdorur i shqipëruar si “emërvend”. Kuvendi komunal i Gjakovës kishte marrë vendim dhe kishin ngritur një Komision prej katër anëtarësh, që do të merrej me standardizimin e emrave të vendeve – toponimeve. Kjo detyrë u ishte dhënë të gjitha komunave të Kosovës. Ato, secila për territorin e vet, kishin për detyrë të rishqyrtonin toponimet për nevoja të krijimit të një harte me toponimet e Kosovës, ku do të saktësoheshin, përmirësoheshin, rregulloheshin dhe “qëroheshin” emërtimet ekzistuese, natyrisht aty ku kishte mundësi dhe jo dhunshëm. Duke qenë se Kosova ka kaluar qindravjeçarë nën sundimin sllav, dhe sidomos 100 vjetshin e fundit, rrjedhimisht edhe toponimet e Gjakovës me rrethinë kanë rënë nën ndikimin e gjuhës sllave dhe nën “kujdesin” e “shkencëtarëve” nacionalistë serbë, të cilët në shumicën e rasteve i kanë serbizuar apo shtrembëruar dhunshëm këto toponime, me qëllim që të “vërtetojnë shkencërisht” përkatësinë e gjithmonshme serbe të këtyre trojeve. Në fillim të punës së vet, Komisioni ra dakord se duhet të shikohen me kujdes të gjitha toponimet, të analizohen, të krahasohen me vendin i cili emërtohet, të shikohet vendi, pastaj me ndihmën e fjalorëve enciklopedikë dhe sidomos të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, të arrihet deri në një përfundim të drejtë për secilin toponim që ishte i diskutueshëm. Prandaj Komisioni, duke e ditur që në fillim se do të ketë probleme me këto serbizime dhe shtrembërime të qëllimshme të toponimeve, si dhe lashtësinë e toponimeve burimore shqiptare dhe kohën e shkurtër në dispozicion që kishte, për ta përfunduar detyrën aspak të lehtë që i ishte shtruar, i hyri punës me përkushtim dhe pas disa ditësh arriti të paraqesë versionin e parë të toponimisë së komunës. Kur jemi te lashtësia e toponimeve, se ato vërtet janë të tilla, Komisioni ka pasur vështirësi për të dhënë mendim të prerë, sepse ndryshimet gjuhësore në kohë janë të kuptueshme, si në shkrimin ashtu edhe në shqiptimin e toponimeve të caktuara. Në këto raste, Komisioni ka marrë vendim që ato të mbeten të tilla, “pa kuptim”, me qëllim që të ruhen format e lashta, të cilat, ndoshta, ndonjëherë do të mund të bëhen temë studimi e shqyrtimi e gjuhëtarëve të ardhshëm, të cilët do të arrijnë të shpjegojnë prejardhjen e tyre dhe të vërtetojnë ndryshimet gjuhësore që ka pësuar gjuha jonë gjatë zhvillimit të saj në shekuj. Dhe toponimet as që duhet të shqiptarizohen dhunshëm, sepse nga një kujdes i tillë i tepruar, do të mund të dëmtohej rruga e zhvillimit historik të gjuhës dhe rregullat e këtij zhvillimi. Thënë shkurt, toponimet mund të konsiderohen edhe si një pasuri dokumentesh arkivore të sigurta, që flasin për lashtësinë e gjuhës së një populli, prandaj duhet të ruhen në origjinal. Për më tepër, Komisioni mbajti parasysh edhe faktin se këto toponime bartin në vete edhe emërtimin dhe shqiptimin lokal të tij, gjë që gjatë historisë së zhvillimit gjuhësor dhe historik emërtimet, pra toponimet, kanë pësuar edhe ndryshime, si për shembull toponimet me bazë bimët, drurët, karakteristikat gjeografike e gjeologjike të tokave, arat, fushat, malet dhe bjeshkët, ujërat, burimet e ujërave, rrugët, kodrat, etj. Gjatë punës Komisioni kishte pranë vetes gjithnjë librin “Toponimia e Gjakovës me rrethinë”, botim i Kuvendit të Komunës Gjakovë, mbajtur në tryezën shkencore më 4 maj 2001. Sidomos kur ishte fjala për emrat e fshatrave ose të komunave kadastrale, që kishin pësuar ndryshime dhe që Komisioni në shumë raste ka qenë i detyruar të ndërhyjë duke ua kthyer emrat e dikurshëm, që shprehin qartë kuptimin sipas vendit ku shtrihen, duke respektuar kështu punimet shkencore që përmbante libri në fjalë. Kështu, pasi Komisioni shqyrtoi hollësisht të gjitha materialet që kishte para vetes, për 63 komunat kadastrale, ku

përfshiheshin të 84 fshatrat e komunës, që në tërësi përbëjnë 1586 mikrotoponime, siç i quajnë gjeometrat, u arrit që kjo punë e vështirë, me përgjegjësi dhe që kërkonte kohë dhe durim, të përfundojë dhe materiali u dorëzua për punë të mëtejshme. Punën në terren e zëvendësoi me shumë sukses inxhinieri i diplomuar i gjeodezisë, z. Skender Sina, anëtar i Komisionit, njohës i shkëlqyer deri në imtësi i terrenit, si dhe gjeometri i terrenit, z. Ukë Komani, i cili e furnizonte Komisionin me materialet e nevojshme. Pa të dy këta zotërinj nuk do të mund të përfundohej aq lehtë dhe suksesi ndoshta nuk do të ishte i plotë. Megjithëse për cilësinë, punën dhe suksesin në përfundimin si duhet të kësaj detyre mbetet të flasin edhe personalitete të fushave të tjera dhe profesionistë të fushës së toponimisë e të gjuhësisë. Komisioni gjatë punës së vet u përpoq të ruante sa më mirë dhe besnikërisht toponimin e vjetër, natyrisht duke e krahasuar dhe gjetur kuptimin dhe mënyrën si e kishte marrë emrin një toponim i caktuar. Në shumicën e rasteve ishte e befasishme përputhja e qartë dhe e saktë me përshkrimin e vendit që tregonte toponimi. Kjo për Komisionin ishte një tregues se toponimet ishin pothuajse shqiptare, me përjashtimet ku vërehej qartë dora e dhunshme e emërtimit që vinte si pasojë e pushtimit të gjatë serb. Po ndërhyrja e Komisionit në këto raste (jo 100%) ishte e ligjshme dhe normale, por më tepër kishte të bënte me rregullimin gjuhësor dhe jo përmbajtjen, gjë që përbënte një befasi të këndshme, sepse bëhej fjalë për saktësinë e emërtimit në shqip. Komisioni ka mbi nëntë faqe të daktilografuara format A/4, ku ka dhënë shpjegimet e nevojshme lidhur me ndërhyrjet gjuhësore në 200 toponime. Duke dhënë shpjegimet sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 1984. Këto të dhëna shpjeguese, Komisioni do t’ia vërë në dispozicion organit që do të merret me verifikimin e punës sonë dhe do të shërbejë si dokumentacion plotësues për ruajtje dhe arkivim dhe si i tillë do të mund t’ju shërbejë të gjithë të interesuarve për punë shkencore, si literaturë ndihmëse.

gjakovapress.info