Meqë tregu i tashëm kryesor i gjelbër, afër Ures së Tabakut-( ish kazermat), i është dedikuar ndërtimit të Kampusit Universitar, komuna po kërkon vend tjetër. Bordi i drejtorëve të komunës së Gjakovës ka vendosur për themelimin e komisionit për caktimin e kritereve për shpalljen e kërkesës publike- vendosjen e tregut me shumicë dhe pakicë në tokë private. Komuna ka vendosur që të kërkojë partneritet publiko – privat, konkretisht të kërkojë dhënie të tokës në shfrytëzim të tregut me shumicë dhe pakicë, pronë kjo e cila parashihet të jetë në periferi të qytetit, në dalje për Prizren ose në dalje për Morinë, gjegjësisht rrugën e regjionit të Rekës së Keqe. Këshilltarë të Asamblesë Komunale të Gjakovës të enjten kanë miratuar një kërkesë të Drejtorisë së Urbanizimit, për ndërtimin e një Kampusi Universitar.
Këshilltarë të Asamblesë Komunale të Gjakovës në prill tw vitit 2012, kishin miratuar një kërkesë të Drejtorisë së Urbanizimit, për ndërtimin e një Kampusi Universitar. Mirëpo është kërkuar më parë, që në vendin ku është paraparë ndërtimi i tij, të bëhet një analizë për ndonjë rrezatim të mundshëm të hapësirës. Kampusi parashihet të ndërtohet në 20 hektarë tokë, në pjesën që tash e disa vite shërben si pazar i pemëve dhe perimeve.
Kjo hapësirë është bombarduar gjatë luftës së vitit 1999 e për këtë arsye ka pasur dilema nëse ajo mund të jetë e rrezikshme për shëndet.